Sveçla: Përgjegjësia për sigurinë në Urën e Mitrovicës do t’i kalojë

0%

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur lajm të mirë fillimin e procesit ku përgjegjësia për sigurinë në Urën e Mitrovicës do t’i kalojë Policisë së Kosovës. Në një prononcim për media, Sveçla tha se procesi do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me KFOR-in.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të fillimit të një procesi ku përgjegjësia për sigurinë në Urën e Mitrovicës do t’i kalojë Policisë së Kosovës.

Kjo vjen pas një pune të gjatë dhe të suksesshme të të gjitha institucioneve të sigurisë, pas sukseseve të njëpasnjëshme të Policisë së Kosovës në sigurimin e rendit dhe ligjit dhe në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim”- deklaroi Sveçla. Ai tha se prania e Policisë së Kosovës në Urë do të reduktohet gradualisht me përmirësimin e situatës së sigurisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Patjetër që ky është një lajm i mirë. I gjithë procesi do të vijojë në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri tani e ka pasur përgjegjësinë e sigurisë në këtë Urë. Sigurisht që, me përmirësimin e sigurisë, edhe vetë prezenca e Policisë së Kosovës do të reduktohet.

Është një proces afatshkurtër, i cili do të ofrojë garanci për të gjithë se hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ te askush”- tha ai. I pyetur se kur pritet të hiqen barrikadat dhe të mundësohet lëvizja e automjeteve në këtë pjesë, Sveçla tha se institucionet janë të angazhuara që procesi të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndërkaq, duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me Liqenin e Ujmanit, Sveçla tha se Kosova është mësuar me deklarata që, sipas tij, cenojnë sovranitetin dhe rrezikojnë sigurinë e vendit. “Për sa u takon deklaratave të Vuçiqit, jemi mësuar të dëgjojmë deklarata të cilat cenojnë sovranitetin dhe rrezikojnë sigurinë e Republikës së Kosovës.

Të them të drejtën, nuk është se na bëjnë përshtypje, për shkak se nuk jemi të befasuar nga qëndrimet e tyre. Serbia nuk ka ndryshuar, është po ajo Serbi e viteve 1998 dhe 1999, por Kosova nuk është më e njëjta. Kosova po forcohet, po ecën përpara dhe është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë për të garantuar siguri për të gjithë”- ka shtuar Sveçla.

Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Kjo është bërë në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, si pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it.

Kështu ka bërë të ditur më Zyra për Informim Publik e KFOR-it, e cila tha se gjeneralmajori Ozkan Ulutash, komandanti i KFOR-it, vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë në institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.

KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës për ta pyetur nëse ka nisur të marrë përgjegjësinë për sigurinë në Urën e Ibrit, mirëpo deri në publikimin e këtij artikullit nuk ka kthyer përgjigje. Një nismë për hapjen e Urës së Ibrit ka qenë në gusht të vitit 2024, dhe përkundër inspektimeve, ngjyrosjeve, vizitave dhe diskutimeve për hapjen, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Institucionet qendrore kishin deklaruar se do të vazhdonin konsultimet dhe koordinimet me partnerët lidhur me çështjen e Urës së Ibrit. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, kishte thënë se çdo vendim lidhur me Urën e Ibrit duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim në kohë dhe efektiv me partnerët ndërkombëtarë.

Burimi: Kallxo