Cristiano Ronaldo i dha fund një jave me kritika të shumta me një paraqitje të jashtëzakonshme, duke shënuar dy gola në fitoren bindëse 5-0 të Portugalisë ndaj Uzbekistanit. Sulmuesi ishte vendimtar që në pjesën e parë të ndeshjes në Hjuston, duke udhëhequr skuadrën dhe hedhur dorezat e rivalitetit me Lionel Messin.
Ronaldo pranoi se kritikat pas paraqitjes së parë ishin të pritshme, por theksoi se ato nuk janë diçka e re për të, pas një karriere që ka zgjatur më shumë se dy dekada. “Mund t’ju them se ishte një javë shumë, shumë e vështirë, një javë e vështirë ku opinioni publik ishte shumë i ashpër me ne, me të gjithë lojtarët, veçanërisht me mua dhe trajnerin.
Gjithmonë është kështu, nuk është asgjë e re, sepse siç mund ta imagjinoni, kanë kaluar 23 vjet në këtë profesion. Kur gjërat shkojnë mirë, Cristiano është i shkëlqyer. Kur shkojnë keq, ai ka mbaruar, është i vjetër. Gjithmonë do të jetë kështu. Unë besoj fuqimisht se puna e Zotit më ndihmon. Karriera ime ka qenë gjithmonë e tillë.
Nuk do të ndryshoja asgjë dhe jam shumë i lumtur, sepse për mua gjëja më e rëndësishme është ekipi.” Një finale e mundshme mes Argjentinës dhe Portugalisë shihet si një hipotezë interesante nga ana e 41-vjeçarit. “Nuk di çfarë t’ju përgjigjem sepse është një pyetje që nuk ka shumë kuptim, por sigurisht, do të ishte shumë mirë.
Por gjëja më e rëndësishme ishte të fitonim dhe të kalonim grupin dhe të ishim gati për atë që na pret. E dimë që do të kemi një ndeshje të vështirë kundër Kolumbisë, por objektivi kryesor ishte të kualifikoheshim dhe e arritëm. Luajta mirë, shënova, ndihmova ekipin.
Ekipi ka qenë shumë i mirë dhe ne vazhdojmë.” Cristiano Ronaldo u ngjit në kuotën e 10 golave me Portugalinë në historinë e Kupës së Botës, i cili është edhe kompeticioni i gjashtë në karrierë për të.
