Derisa Kroacia po lufton për kalimin e fazës së grupeve në Kampionatin Botëror, nga studio e televizionit amerikan ‘Fox Sports’ kanë ardhur fjalë të mëdha vlerësimi për futbollin kroat. “Sulmuesi legjendar francez, Thierry Henry, ka folur për sukseset e kombëtares kroate, duke theksuar se ato janë edhe më mbresëlënëse kur merret parasysh madhësia e shtetit dhe historia e tij.
Henry është kthyer te Kampionati Botëror i vitit 1998, kur Kroacia në paraqitjen e saj të parë arriti deri te medalja e bronztë dhe në gjysmëfinale i shkaktoi shumë telashe Francës”, sh kruan media kroate “Slobodna Dalamcia”. “Kroacia pothuajse na eliminoi në gjysmëfinale në vitin 1998. Atëherë kishte golashënuesin më të mirë të kampionatit, Davor Shuker.
Po flasim për një shtet me 3.9 milionë banorë”, ka thënë Henry. Më pas, francezi ka përmendur rezultatet më të mëdha të Kroacisë në kampionatet botërore, duke kujtuar edhe faktin se Luka Modriç është fitues i Topit të Artë. “Ata përfunduan të tretët në vitin 1998, luajtën në finale në vitin 2018 dhe sërish ishin të tretët në vitin 2022. Kanë edhe fitues të Topit të Artë.
Për një vend si Kroacia, gjithçka që përmenda është e çmendur”, është shprehur Henry. Ai ka shtuar se rruga e Kroacisë është edhe më e veçantë duke pasur parasysh luftën dhe vështirësitë që ka kaluar vendi. “Kur e dini gjithçka që ka ndodhur me luftën dhe të gjitha të tjerat, nuk ka qenë e lehtë. Ata vazhdojnë të ëndërrojnë dhe çdo gjë që bëjnë është e shkëlqyer.
Nuk po kërkoj justifikime për ta, por mendoni për gjithçka që kanë bërë në historinë e futbollit”, ka theksuar Henry. “Ndërkohë, kolegu i tij në Fox Sports, Zlatan Ibrahimoviç, është kritikuar nga një pjesë e mediave amerikane për analizat e tij në studio. ‘New York Times’ ka vlerësuar se ish-reprezentuesi suedez, për momentin, nuk ofron analiza mjaftueshëm të thella dhe konkrete, duke u mbështetur më shumë te karizma dhe personaliteti i tij.
Gazeta amerikane ka theksuar se ndonjëherë krijohet përshtypja se Ibrahimoviç nuk ka njohuri mjaftueshëm të hollësishme për disa kombëtare dhe futbollistë për të cilët flet, ndonëse pranon se, falë përvojës së pasur, ai ka potencial të ofrojë shumë më tepër në pjesën analitike të emisionit. Megjithatë, Ibra ka tërhequr vëmendje edhe jashtë temave të futbollit.
Gjatë një paraqitjeje në studio, ai ka lëshuar hitin e këngëtares boshnjake Lepa Brena, “I çmendur pas teje”, ka duartrokitur në ritëm dhe ka vallëzuar, para se të përpiqej t’i shpjegonte moderatorit amerikan se për çfarë muzike bëhej fjalë”, shkruan media kroate. “Kjo është muzika ime. Nuk do ta kuptosh…
Ajo këndon për dashurinë”, ka thënë Ibrahimoviç, në një moment tjetër që u bë shpejt viral në rrjetet sociale.
