Bota e futbollit i përkulet Messit

0%

Lionel Messi ka dhuruar një tjetër paraqitje madhështore, duke bërë që e gjithë bota e futbollit t’i përkulet sërish talentit të tij të jashtëzakonshëm. Ylli argjentinas ishte protagonist absolut në fitoren 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë, duke realizuar tre gola në minutat 17, 60 dhe 76. Kampionia e botës e nisi fuqishëm Botërorin që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, ndërsa kapiteni i saj tregoi edhe një herë se vazhdon të jetë vendimtar. Paraqitja e Messit shkaktoi reagime të shumta në gjithë botën e futbollit, nga trajnerë, rivalë, ish-lojtarë dhe tifozë. I pari që foli me admirim ishte trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni. “Nuk kam fjalë, është e pabesueshme. Çfarë mund të them për Leon? Messi do të jetë më i miri në histori përgjithmonë. Do të jetë shumë e vështirë që dikush ta arrijë ”, deklaroi Scaloni. Një tjetër yll që reagoi shpejt ishte Erling Haaland, i cili vetë pati një ditë të shkëlqyer me dy gola në fitoren e Norvegjisë ndaj Irakut 4-1. Sulmuesi norvegjez iu bashkua valës së admirimit për Messin pas “hat-trick”-ut të argjentinasit. Ndërkohë, euforia për Messin nuk u ndal vetëm në Argjentinë. Në Bangladesh, rreth 17 mijë kilometra larg, mijëra studentë dhe tifozë pushtuan ambientet e Daffodil International University për të festuar fitoren e Argjentinës dhe paraqitjen historike të kapitenit të saj. Edhe trajneri i Algjerisë, Vladimir Petkovic, nuk i kurseu fjalët e mëdha për Messin pas ndeshjes. “Klasi është i përhershëm. Nuk po flasim për një futbollist të zakonshëm, por për një lojtar që ka fituar Topin e Artë shtatë apo tetë herë në karrierë”, u shpreh Petkovic. Me këtë paraqitje, Messi konfirmoi edhe një herë pse konsiderohet nga shumëkush si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Edhe në moshën 38-vjeçare, ai vazhdon të shkruajë histori dhe të mahnitë botën.

Burimi: Bota Sot