Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar se ka nisur vendosja e kamerave të sigurisë, duke filluar nga objekti i Komunës së Mitrovicës. Peci ka thënë se deri në fund të vitit 2026 planifikohet shtrirja e instalimit të kamerave në gjithë qytetin. “Komuna e Mitrovicës do të jetë komunë e sigurt.
E filluam nga objekti i komunës, e deri në fund të këtij viti do të vazhdojmë shtrirjen e instalimit të kamerave në gjithë qytetin” – ka shkruar Peci në Facebook më . Ai ka thënë se është “paradoksale” që Mitrovica, pavarësisht nivelit të rrezikshmërisë që sipas tij ka pasur në të kaluarën, nuk ka pasur kamera të sigurisë. “Siguria e qytetarëve në radhë të parë.
Çdo ditë në shërbim të qytetit dhe të qytetarëve” – ka shkruar tutje Peci. Në qershor të vitit 2025, KALLXO.com raportoi se ndonëse shkruante “Kujdes, jeni nën vëzhgimin e kamerave”, të njëjtat nuk ishin në funksion në objektin e Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Kështu kishte konfirmuar për KALLXO.com, ish-Drejtori i Administratës, Gëzim Stavileci, i cili theksoi se kamerat e sigurisë në këtë komunë nuk funksiononin prej tre vitesh. “Nuk funksionojnë kamerat të gjitha kamerat në objektin e Komunës së Mitrovicës. Janë të vendosura qe një kohë të gjatë sipas informatave që i kam.
Unë si drejtor që kam ardhur në vitin 2021, i kam gjetur që nuk funksionojnë”- kishte thënë Stavileci për KALLXO.com. Më tej, Stavileci kishte deklaruar se është tentuar të zgjidhet ky problem, mirëpo sipas tij, situata me borxhet e Komunës e ka pamundësuar.
