Momente tensioni janë shënuar gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë përfshirë në një debat verbal përpara trupit gjykues.
Gjatë seancës, Meta ka deklaruar se nuk ka dijeni për veprimet e Kryemadhit, duke shtuar se ajo i njeh vetë rrethanat e mesazheve. Kryemadhi i është kundërpërgjigjur duke e akuzuar Metën se po flet bazuar në thashetheme dhe “llafe grash”. Në këtë moment, gjykata ka ndërhyrë duke paralajmëruar Kryemadhin se do të nxirret nga salla dhe do të gjobitet nëse përsërit sjelljen.
“Nuk ekziston asnjë lloj ndikimi për askënd. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi”, tha Meta. Menjëherë pas kësaj, Kryemadhi iu përgjigj: “Boll se nuk është ashtu.
Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?” Pasi gjykata i tërhoqi vëmendjen, Kryemadhi shtoi: “Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh.
Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”, duke iu referuar deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili ndodhej në sallë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
