Anton Quni ka bërë thirrje për unitet në LDK. Pas zhvillimeve të fundit, Quni ka thënë se është për bashkëpunimin e ngushtë mes Lumirit, Gazit, Imriut dhe secilit koleg e veprimtar që i rreh zemra për rrugëtimin e LDK-së. “Shtëpia jonë politike ka qenë gjithmonë dhe mbetet shtylla e shtetndërtimit dhe e demokracisë në Kosovë.
Forca jonë nuk buron nga mungesa e debateve apo e mendimeve ndryshe, por nga aftësia e jashtëzakonshme për t’i tejkaluar ato me maturi dhe respekt reciprok. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për unitet të plotë. Kemi nevojë të bëhemi shembulli më i mirë se si çdo pakënaqësi, çdo dallim dhe çdo sfidë e zgjidhim brenda familjes sonë – brenda shtëpisë së madhe të LDK-së.
Vendi i bashkimit është tryeza jonë e përbashkët e bisedimit dhe e mirëkuptimit, ku interesat e shtëpisë sonë qëndrojnë gjithmonë mbi çdo interes tjetër. Unë jam plotësisht për bashkëpunimin e ngushtë mes Lumirit, Gazit, Imriut dhe secilit koleg e veprimtar që i rreh zemra për rrugëtimin tonë. Është koha e afrimit të njëri-tjetrit dhe jo e largimit.
Secili prej nesh ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe vend të pacenueshëm në këtë strukturë, prandaj asnjë dallim nuk guxon të jetë më i madh se qëllimi ynë i përbashkët. Ju ftoj të gjithëve të më punojmë për pajtim, duke lënë anash çdo gjë që na ndan; për bashkim, duke u rreshtuar rreth vlerave tona të përbashkëta; dhe për urtësi, duke dëshmuar pjekurinë politike që e ka karakterizuar gjithmonë LDK-në. Vetëm të bashkuar, me urtësi dhe me besim tek njëri-tjetri, mund të jemi udhërrëfyesi dhe forca që i duhet vendit tone” shkruan Quni në reagim
