ZKA: Paneli shqyrtues i OSHP-së, vonoi marrjen vendimeve deri në 91 ditë

0%

Paneli shqyrtues OSHP-së vonoi nxjerrjen e vendimeve në 54 raste të ankesave, ku vonesat shkuan deri 91 ditë. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës në ushtrimin e detyrave. Auditori vlerëson se kjo ka ndikuar negativisht në efikasitetin dhe transparencën e prokurimit publik.

“Në 54 raste të vendimeve në trajtimin e lëndëve të ankesave nga paneli shqyrtues i OSHP-së, ka pasur vonesa nga një (1) deri në 91 ditë. Kjo kishte ndodhur për shkak të neglizhencës dhe mos marrjes me përgjegjësi të plotë të detyrave dhe përgjegjësive të panelit shqyrtues.”- thuhet në gjetjet e ZKA-së.

Auditori vlerëson se vonesa dhe trajtimi i lëndëve jashtë afateve ligjore bie në kundërshtim me parimet e transparencës dhe llogaridhënies në prokurim publik, ndikon negativisht në realizimin e projekteve publike dhe në efikasitetin e shpenzimeve publike nga autoritetet kontraktuese.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vonesa në depozitat e ankuesve, sipas ZKA-së, rrit rrezikun që palët e interesit të humbasin besimin në sistemin e ankesave ndaj OSHP-së, si dhe mund të rezultojë në kontestime të mëtejshme ligjore duke shkaktuar kosto shtesë ligjore për OSHP-ën.

Auditori i referohet nenit 117 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili përcakton se OSHP duhet të nxjerrë vendimin përfundimtar me shkrim, së bashku me arsyetimin ligjor dhe faktik, brenda 15 ditëve pas përfundimit të afateve ose pas marrjes së sqarimeve/dëgjimeve, sipas nenit 115 dhe 116.

Në raste me çështje veçanërisht të ndërlikuara, OSHP mund ta zgjasë afatin edhe për jo më shumë se 20 ditë për marrjen e vendimit dhe arsyetimit përkatës. Kryetarit të OSHP-së iu rekomandua të sigurojë marrjen e vendimeve brenda afateve ligjore.

“Kryetari i OSHP-së duhet të siguroj që vendimet të jenë të trajtuara në përputhje me afatet e përcaktuara ligjore dhe rregullative duke siguruar ligjshmërinë e vendimeve dhe arritjen e objektivave të OSHP-së, përfshirë misionin dhe vizionin e strategjisë.”- rekomandohet në raport. Organi Shqyrtues i Prokurimit [OSHP] është pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, më e ka konfirmuar pranimin e draft raportit për auditimin e pasqyrave financiare vjetore të Organi Shqyrtues i Prokurimit [OSHP] për vitin 2025, dhe është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet, pa ndonjë koment shtesë. OSHP ka marrë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore.

Ky raport ka rezultuar me 8 rekomandime, pesë janë rekomandime të reja, tri rekomandime të përsëritura. Raporti i auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2024 ka rezultuar me 5 rekomandime. Deri ne fund të auditimit të realizuar nga ZKA për vitin 2025 tre rekomandime nuk janë zbatuar ende, ndërsa dy rekomandime janë të mbyllura.

Ndryshe, Zyra Kombëtare e Auditimit ka njoftuar se për vitin 2025 ka kryer 133 auditime. Po ashtu, në konferencë për media nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është njoftuar se 80 raste janë dërguar në prokurori gjatë vitit 2025. Raportin e plotë të auditimit për vitin 2025 të Organi Shqyrtues i Prokurimit [OSHP] mund ta gjeni KËTU .

Burimi: Kallxo