Nga: Shaban Maxharraj Shpërndaje në: Tenderi për ato që do të duhej të ishin punë të kryera qysh më 2016 – si elektrifikimi, ujësjellësi e kanalizimi në parkun arkeologjik “Ulpiana” – është hapur tek tash. Me 79 mijë euro pritet të përmbyllet ky zotim i kahershëm. Parku deri vonë ka ngjarë me një hapësirë të braktisur.
Në një dekadë të ekzistencës me këtë status njeh muaj kur punonjësit s’kanë qenë të angazhuar e mirëmbajtja është bërë vullnetarisht.
Njeh nëntë vjet pa ciceronë, e një dekadë pa elektrifikim, ujësjellës e kanalizime Në prag të dhjetëvjetorit të inaugurimit të një pjese të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës si Par Arkeologjik, shteti ka hapur tender për elektrifikim dhe rregullimin e ujësjellësit. Krejt kjo do të duhej të ishte punë e harruar tashmë.
Thirrja publike e hapur në fillim të këtij muaji, mban titullin “Renovimi i Parkut Arkeologjik Ulpiana”. Është e ndarë në dy llote: I pari për sjelljen e energjisë elektrike kurse i dyti për ujësjellësin dhe kanalizimet. Kostoja e paraparë është 79 mijë euro.
Historia e elektrifikimit dhe ujësjellësit e kanalizimeve në Parkun e vetëm arkeologjik në vend, “Ulpiana – Justiniana Secinda” është e vjetër. Duhet të ishte mbyllur bashkë me inaugurimin si park arkeologjik në vjeshtën e vitit 2016. Por s’është iniciuar asnjëherë. Parku deri vonë ka ngjarë me një hapësirë të braktisur.
Në një dekadë të ekzistencës me këtë status njeh muaj kur punonjësit s’kanë qenë të angazhuar e mirëmbajtja është bërë vullnetarisht. Njeh nëntë vjet pa ciceronë. E një dekadë pa elektrifikim, ujësjellës e kanalizime.
Pos këtyre, njeh edhe shumë raste kur fekalet s’janë mbledhur nga kompania e kontraktuar shkaku i mospagesës dhe dyert e kabinave kanë qëndruar të mbyllura si për stafin, ashtu edhe për vizitorë. E, sikurse çdo dimër, edhe në atë të fundit stafi është ngrohur me disa bombola të gazit.
Stafi i lokalitetit i është gëzuar thirrjes publike të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për elektrifikim dhe ujësjellës. Me shpresën se do të realizohen që të dyja, s’kanë dashur të komentojnë situatën. Kanë folur tash e një dekadë. Parku i vetëm arkeologjik në Kosovë “Ulpiana” në dhjetor të vitit 2024 qe bërë pre e vandalizmit.
Thyerja e kontejnerëve ku mbahen veglat e punës, vizatimi i një simboli satanik i lënë si porosi, qenë veprat e bëra. Mungesa e ndriçimit ka qenë në favor të tyre.
Arkeologu Milot Berisha, i cili ka udhëhequr kërkimet shkencore dhe projektin për shndërrimin e asaj pjese të lokalitetit arkeologjik në park arkeologjik kishte thënë asokohe se mirëmbajtja edhe roja që i bëhen parkut, s’mjaftojnë.
“Pavarësisht këtij angazhimi, mungesa e elektrifikimit të Parkut ka krijuar një boshllëk sigurie, por me përfundimin e procesit të shpronësimit të 23 hektarëve, shumë shpejt do të fillojë procesi i elektrifikimit, ndriçimit dhe survejimit me mjete të sofistikuara”, kishte thënë ai.
Prej atij dhjetori njësia menaxhuese e parkut arkeologjik “Ulpiana-Iustiniana Secunda” kishte iniciuar ndërmarrjen e masave emergjente për forcimin e sigurisë.
“Inspektime të shpeshta dhe të paparalajmëruara të personelit kujdestar për të garantuar vigjilencë dhe efikasitet të shtuar; blerjen e dy pajisjeve të ngrohjes (ngrohëse me gaz) për stacionet e ruajtjes, për të përmirësuar kushtet e punës gjatë sezonit dimëror”, ishin disa prej masave që kishte listuar Berisha.
Sipas tij, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 ishin parashikuar veprime afatgjata për të garantuar sigurinë e Parkut, duke përfshirë elektrifikimin dhe ndriçimin “smart” të katër sektorëve të Parkut, me afat përfundimtar qershorin e vitit 2025.
“Vendosja e kamerave të monitorimit për të siguruar survejim 24-orësh të sitit arkeologjik; Instalimin e tabelave paralajmëruese për ndalimin e vandalizmit dhe gardhime të pjesshme për mbrojtjen fizike të zonës”, janë masat e tjera.
Arkeologu Berisha që tash edhe zyrtarisht është menaxher i Parkut, kishte thënë se këto masa të menjëhershme dhe të planifikuara synojnë të rrisin mbikëqyrjen dhe të mbrojnë këtë trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore për brezat e ardhshëm.
Në fund të tetorit të 2024-s ministri i asokohshëm iu Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte emëruar si pjesë të stafit menaxhues Bariu Zenelajn si kryesues, me anëtarë Milot Berishën, Ilir Culajn, Festa Nelën e një anëtar nga Komuna e Graçanicës. Raporti i shtetit me “Ulpianën” vazhdimisht ka pasur progres dhe regres.
Qeveria e Kosovës në gusht të vitit 2024 ua kishte vënë pikën proceseve të shpronësimit të parcelave ku ndodhen lokaliteti arkeologjik i “Ulpianës” – më i rëndësishmi në vend – dhe ai i Dresnikut. Në tetor të vitit 2023 qe miratuar plani i menaxhimit për parkun arkeologjik “Ulpiana”.
U miratua shtatë vjet prejse një pjese të lokalitetit arkeologjik të “Ulpianës” i ishte “prerë shiriti”, për t’u bërë park arkeologjik me tre sektorë. E, në terren nuk ka ndryshime. Me Plan të menaxhimit së paku në letër ka zotime.
Në punimet e realizuara më 2023, në strukturat e kishës më të madhe të zbuluar deri më tash në Ballkan, mbi mozaikun me motive të ndryshme ishte hasur një mbishkrim latin. Aty qartësohet se ishte perandori Justinian ai i cili personalisht ka iniciuar ndërtimin e qytetit Justiniana Secunda.
Mbishkrimi gjendet në zonën qendrore të kishës, hapësirë që është parë nga të gjitha anët e objektit të kultit. Përtej kësaj, detajet e mbishkrimit zbërthejnë edhe rrethana të tjera personale e politike të kohës kur kjo anë si pjesë e Perandorisë së kohës udhëhiqej nga perandori me prejardhje dardane, Justiniani.
E vazhdimësia dardane deri në mesjetë po ashtu është faktuar nëpërmjet mbishkrimit në latinisht. E më 2025 qe vërtetuar se bazilika e ndërtuar me vullnetin dhe urdhrin e Justinianit të Madh është inauguruar në vitin 545. Kjo e dhënë është e shkruar në latinisht në mbishkrim. Por shteti vazhdimisht ka pasur telashe me angazhimin e stafit për mirëmbajtje.
Për muaj të tërë, lokaliteti ka funksionuar si i braktisur, megjithëse më i vizituari në vend. Shteti ka qenë në vazhdimësi shpërfillës në raport me “Ulpianën”, njëjtë sikurse me krejt lokalitetet arkeologjike ku është investuar shumë. Në “Ulpianë”, Kosova ka investuar mbi një milion euro ndër vite. Shtatë vjet është pritur për planin e menaxhimit.
Por, vënia në funksion e këtij plani tek tash ka nisur të dalë pak në horizont. Asnjë prej mungesave të kohës kur është bërë park arkeologjik nuk është plotësuar, pos dy ciceronëve në shtatorin e 2025-s. Dokumenti prej 47 faqesh është një lloj manuali i menaxhimit të Parkut arkeologjik deri më 2027.
Aty përfshihen prej deklaratës së rëndësisë, vizionit, brendimit, historikut, fushat e veprimit e deri te plani i veprimit. Në skemën e organizimit dhe funksionimit të Parkut do të jetë bordi drejtues me pesë anëtarë: menaxheri ose përgjegjësi i Parkut dhe stafi profesional e ai administrativ. Te stafi profesional do të ketë një arkeolog, një konservator, dy ciceronë dhe një kurator.
Kurse te stafi teknik: katër mirëmbajtës, katër persona për sigurim fizik dhe planifikohet një kafene e dyqan suveniresh. Shërbimet shtesë ishin paraparë qysh në projektin e Parkut, por nuk ishin realizuar asnjëherë. Themelimi e funksionimi i laboratorit e hartimi i planit të konservimit janë paraparë të përfundohen deri më 2026. Kërkimet arkeologjike do të zhvillohen në vazhdimësi.
“Themelimi i njësisë menaxhuese; Integrimi i shtigjeve të ecjes dhe aseteve të tjera, si Manastiri i Graçanicës, Veletini, Kishnica, rrjetit të gjurmëve dhe galerive të minierave antike në arealin e Shashkocit dhe Janjevës e të tjera, në kuadër të ofertës turistike”, janë synimet me prioritet të mesëm e që llogaritet të përfundohen deri më 2028.
Për këto pika përgjegjës kryesorë janë Ministria e Kulturës dhe Instituti Arkeologjik. Te themelimi i njësisë menaxhuese ka dy afate. Në një tjetër rast shkruhet se afati i fundit është viti 2026. Vendosja dhe shtrirja e rrjetit të instalimeve elektrike, makinave, ujësjellësit dhe kanalizimit, nyjave sanitare, ishin plane që duhej të përfundonin deri më 2025.
Kurse vendosja e infrastrukturës së nevojshme për akomodimin e stafit dhe veprimtarisë kërkimore shkencore në terren ka kohë deri më 2028. Plani i veprimit parasheh edhe përcaktimin e hapësirave që mund të shfrytëzohen për funksione alternative dhe hartimin e planit të biznesit.
Viti 2028 llogaritet të jetë edhe afati i fundit për sigurimin e të hyrave për Parkun arkeologjik nga shitja e biletave, suvenirëve, replikave e materialeve promovuese. Në tre hektarë vizitorët qysh nga viti 2016 – kur një pjesë e lokalitetit u shpall park arkeologjik – mund të shohin shumë struktura e gjetje.
Në sektorin e parë të Parkut gjenden banja romake, tempulli e bazilika e fortifikuar me katër kulla. Por, e gatshme për t’u parë është vetëm një kullë. Sektori i dytë përbëhet nga vila suburbane apo vila periferike, përkatësisht nga rrënojat e mureve të një krahu të vilës, që pas gjysmës së shekullit I, hapësira është shndërruar në varrezë dhe tash quhet nekropoli verior.
E sektori i tretë ua ofron vizitorëve bazilikën episkopate, që ndryshe quhet edhe katedrale.
