Por cilët janë kundërshtarët e mundshëm të Anglisë pas fazës së grupeve? Me vendin e parë në grupin L, ndeshja e saj e parë në fazën me eliminim direkt do të zhvillohej në Atlanta, të mërkurën e 1 korrikut.
Sipas rregullores zyrtare të Kupës së Botës, fituesi i Grupit L do të përballet me ekipin më të mirë të vendit të tretë që ende nuk i është caktuar një ndeshje nga grupet E, H, I, J dhe K. Aktualisht, skuadra e renditur më lart në vendin e tretë nga këto pesë grupe është Kepi i Gjelbër nga Grupi H, pas barazimeve surprizuese ndaj Spanjës dhe Uruguait.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Anglia do të përballet me përfaqësuesen afrikane në raundin e 32 skuadrave, sepse nëse renditja mbetet siç është tani, Kepi i Gjelbër do të luante kundër Meksikës në Meksiko Siti më 1 korrik.
Kjo ndodh sepse ndeshja mes fituesit të Grupit A (Meksika) dhe ekipit më të mirë të vendit të tretë nga grupet C, E, F, H dhe I është planifikuar si ndeshja numër 79 e turneut, një ndeshje para asaj të Anglisë.
Në këtë skenar, me Kepin e Gjelbër jashtë kombinimeve për Anglinë, “Tre Luanët” do të përballeshin me ekipin më të mirë të vendit të tretë nga grupet E, I, J dhe K, me rrezikun e mundshëm të një përballjeje “makth” me Portugalinë, gjithmonë nëse iberikët për një arsye apo për një tjetër do të renditeshin të tretët pas Kolumbisë e Kongos.
Rruga e Anglisë drejt finales do të përfshinte më pas një përballje të mundshme në raundin e 16 skuadrave kundër Meksikës organizatore, në Meksiko Siti. Brazili ose Norvegjia do të ishin kundërshtarët më të mundshëm në çerekfinale, ndërsa kampionët në fuqi, Argjentina dhe Lionel Messi, do të ishin kundërshtarët e mundshëm të gjysmëfinales.
E vetëm nëse arrin në finale, Anglia ka gjasa të përballet me Spanjën ose Francën. Megjithatë, gjithçka për momentin është thjesht teorike dhe është e pamundur të parashikohet konkretisht se me kë do të përballej Anglia në fazën me eliminim direkt, pasi çdo gjë varet nga shumë variabla të ndryshëm që lëvizin nga momenti në moment.
