Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka reaguar ndaj polemikave të krijuara rreth pushimeve për hidratim gjatë Kupës së Botës, duke mohuar se ato janë vendosur për arsye komerciale. Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, FIFA ka vendosur që në çdo ndeshje të ketë pushime për hidratim në minutën e 22-të dhe të 67-të.
Megjithatë, ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta nga tifozët, analistët dhe futbollistët. Kapiteni i Holandës dhe mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, e ka bërë të qartë pakënaqësinë e tij, pasi këto ndërprerje e ndajnë praktikisht ndeshjen në katër pjesë.
Ndërkohë, tifozët anglezë në stadiume janë dëgjuar duke vërshëllyer gjatë pushimeve, me dyshimin se ato po përdoren për hapësirë reklamash televizive. Pushimet për hidratim nuk janë risi absolute në futboll, pasi më herët janë përdorur në kushte të temperaturave të larta për t’u dhënë lojtarëve mundësi të rikuperohen.
Por kritikat janë shtuar për faktin se në disa ndeshje të këtij Botërori kushtet atmosferike kanë qenë të përshtatshme për lojë, megjithatë ndërprerjet janë aplikuar njësoj. Infantino ka sqaruar se arsyeja kryesore mbetet nxehtësia, por edhe nevoja për barazi sportive mes skuadrave.
“Arsyeja kryesore është nxehtësia, por duhet të kuptojmë se në një garë si Kupa e Botës, që zhvillohet për 39 ditë, ku ekipet mund të luajnë deri në tetë ndeshje, një moment pushimi është shumë i rëndësishëm”, tha Infantino. Ai shtoi se FIFA dëshiron që të gjitha skuadrat të kenë kushte të njëjta në çdo ndeshje.
“Për ne është shumë e rëndësishme që të gjitha ekipet të luajnë në kushte të barabarta. Do të ishte e vështirë të pranohej që një trajner të ketë mundësinë të ndikojë në ndeshje me udhëzime gjatë një ndërprerjeje vetëm sepse është më nxehtë, ndërsa në një ndeshje tjetër, me temperaturë më të ulët, të mos e ketë të njëjtën mundësi”, deklaroi ai.
Infantino mohoi gjithashtu se FIFA po përfiton financiarisht nga këto ndërprerje. “Nuk ka të ardhura shtesë për FIFA-n, sepse të gjitha marrëveshjet komerciale janë nënshkruar shumë më herët. Pra, për ne kjo nuk është çështje financiare. Është thjesht çështje sportive”, theksoi presidenti i FIFA-s. Pushimet për hidratim pritet të vazhdojnë deri në fund të këtij Botërori.
Megjithatë, tifozët shpresojnë që pas finales së 19 korrikut, këto ndërprerje të përdoren vetëm kur kushtet atmosferike dhe mirëqenia e lojtarëve e bëjnë të domosdoshme.
