Kurti: Pas certifikimit të rezultateve do të nisim diskutimet për formimin e institucioneve të reja

0%

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka falënderuar qytetarët për, siç tha ai, procesin e rregullt dhe demokratik zgjedhor, duke theksuar se vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe të përkthehet në institucione funksionale. Kurti tha se kjo ishte mbledhja e parë e Qeverisë që po mbahet fizikisht pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Kjo është mbledhja e parë që po takohemi fizikisht pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Më lejoni t’i falënderoj qytetarët për procesin e rregullt dhe demokratik zgjedhor. Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë në mënyrë të përsëritur”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit në detyrë, rezultati, verdikti i qytetarëve duhet të pranohet dhe të respektohet, ndërsa institucionet e ardhshme duhet të jenë të përkushtuara ndaj zhvillimit dhe mirëqenies së vendit, përcjell Telegrafi. “Qytetarët folën qartë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Rezultati duhet të pranohet dhe respektohet, ndërsa vullneti i popullit të zbatohet dhe të përkthehet në institucione funksionale dhe demokratike, të angazhuara dhe të përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, siguri e mbrojtje, industri dhe prodhim”, u shpreh Kurti.

Ai bëri të ditur se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore do të fillojnë diskutimet për formimin e institucioneve të reja të vendit. “Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja, konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, tha Kurti.

Kryeministri në detyrë gjatë mbledhjes foli edhe për rastin tragjik, ku dy motra humbën jetën në një aksident në Gjermani dhe rastin tjetër, ku një i ri humbi jetën në vendin e tij të punës në Prizren. Ai po ashtu ngushëlloi familjet Zubaku e Morina për humbjen e familjarëve të tyre.

“Jam thellësisht i pikëlluar nga vdekja tragjike e tre të rinjve tanë në dy raste të ndryshme ditëve të fundit. Motrat Erza dhe Aulona Zubaku në një aksident në Gjermani dhe Valmir Morina në vendin e tij të punës në Prizren. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta…”, tha Kurti.

Burimi: Telegrafi