Kryeministri i vendit, Edi Rama, publikoi këtë të mërkurë mesazhin e një qytetari, i cili ka shprehur vlerësimin e tij për ndryshimet që ka përjetuar Shqipëria ndër vite, duke theksuar se është përpjekur ta analizojë realitetin nga këndvështrimi i kreut të qeverisë.
Në reagimin e tij, Rama e përshkruan këtë si një prej shumë mesazheve që ka marrë ditët e fundit, në një kohë kur në Tiranë po zhvillohen protesta prej 25 ditësh.
Në mesazhin e publikuar, qytetari shprehet se për një moment është përpjekur “të vendoset në vendin e kryeministrit”, jo për t’i bërë komplimente apo për të bindur të tjerët, por për të kuptuar se si mund të duket realiteti nga pozicioni i tij.
Qytetari shkruan se është rritur në një Shqipëri ku kushtet e jetesës dhe infrastruktura ishin dukshëm më të vështira krahasuar me sot, duke shtuar se do të ishte e padrejtë dhe naive të mohoheshin ndryshimet e bëra.
Postimi i kryeministrit Edi Rama: MIRËMËNGJES dhe me një nga mesazhet e shumta të këtyre ditëve të habitshme në të keq e në të mirë, të cilin dikush bujarisht e ka postuar e një tjetër miqësisht ma ka dërguar, ju uroj një ditë të mbarë *** Ja profili i të panjohurit bujar që më çoi miku me statusin e postimit të videos @mr.elprofe Provova t’i vesh për pak çaste këpucët e kryeministrit.
Jo për t’i bërë lajka. Jo për të bindur askënd. Thjesht për të parë si do ta shihja unë botën në vendin e tij. Jam rritur në një Shqipëri ku nuk bëje dot 200 metra pa t’u grisur këpucët. Do të ishim naivë po të thoshim se nuk janë bërë edhe gjëra të mira. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë është perfekte. As që nuk janë bërë gabime.
Por për sqarim: Unë nuk ha bukë nga shteti shqiptar që prej vitit 1997. Nuk jam as i shitur. As i blerë. Dhe nuk mbështes verbërisht askënd. Kjo këngë është thjesht një përpjekje për të parë anën tjetër të historisë. Një kundërrrymë ndaj asaj që dëgjojmë çdo ditë. E di që do shahem. Por s’ka problem. Sepse në fund të fundit: I shari shan. I mençuri mendon. I Carried The Storm
