Nga: Shaban Maxharraj Shpërndaje në: Maestro Hazir Reka, ka rihapur arkivin e fotografive të tij që shënuan një epokë. “Dalja n’dritë” rikthehet nëpërmjet aparatit fotografik në horizontet e Minierës së Trepçës, për të ringjallur një kapitull unik që përthekon ngjarje madhore të vitit 1988 e 1989 të cilat shkundën ish-Jugosllavinë.
Greva mobilizoi shqiptarët, ngjalli solidarizim dhe i tregoi regjimit të Serbisë se mund të përballet edhe me rezistencë. Krejt këto e shumë më shumë lexohen në fotografitë e Rekës Greva e Minatorëve të Trepçës më 1989 për shumë studiues është njëfarë vije ku ndahen kohët.
Të shumtë janë ata që vijnë në përfundim se shembja e ish-Jugosllavisë nisi pikërisht në Kosovë dhe atë rreth 850 metra nën sipërfaqen e tokës, në horizontet e Minierës së Trepçës në Stantërg. Historia e atyre tetë ditëve të shkurtit s’bëhet kurrë e plotë. Secili rrëfim i rreth një mijë e 30 minatorëve është histori më vete. Përtej simbolikës, greva dha shumë efekte.
Mobilizoi shqiptarët, ngjalli solidarizim dhe i tregoi regjimit të Serbisë se mund të përballet edhe me rezistencë. Krejt këto e shumë më shumë lexohen në fotografitë e Hazir Rekës. I shoqëruar nga gazetarët Blerim Shala e Halil Matoshi, Reka do të zbriste te minatorët për të rrëfyer atë që shihte nëpërmjet objektivit të tij si fotoreporter.
Një pjesë e atyre fotografive sot duken si eksponate. Dhe të tilla janë. Shpërfaqin ditët kur historia e Kosovës dhe e krejt ish-Jugosllavisë po ndryshonte. Shkrepjet e Rekës, asokohe për “Zërin e Rinisë”, tregojnë një shfaqje pakënaqësie e rezistence të punëtorëve të minierës.
Bashkojnë portretet që tash mund të shihen edhe si aktorët kryesorë të një drame kolektive që dikur kërkonin të drejtat e tyre. Imazhet përshkruajnë minatorët në demonstratat e vitit 1988 dhe grevën e vitit 1989.
Në ekspozitën “Dalja n’dritë”, e hapur në “Vila 1925” në Prishtinë, krejt afër ndërtesës së Komunës, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se fotografitë nuk paraqesin vetëm ngjarje historike, ato ruajnë fytyrat e njerëzve që qëndruan të palëkundur në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe të të gjithëve.
“Në secilin imazh shohim guximin, solidaritetin dhe këmbënguljen e atyre burrave dhe grave që u bënë simbol i qëndresës në Kosovë.
Kjo ekspozitë na rikujton se historia nuk jeton vetëm në libra, ajo jeton në kujtime e dëshmi e në fotografi si këto, të cilat i kanë mbijetuar kohës për të na treguar se nga kemi ardhur dhe në çfarë sakrificash janë bërë gjatë rrugës që kemi ndjekur si popull”, ka thënë ai. Sipas Kurtit, Hazir Reka nëpërmjet objektivit të tij ka lënë një arkiv të kujtesës kolektive.
Shkrepjet e Rekës, asokohe për “Zërin e Rinisë”, tregojnë një shfaqje pakënaqësie e rezistence të punëtorëve të minierës.
Bashkojnë portretet që tash mund të shihen edhe si aktorët kryesorë të një drame kolektive që dikur kërkonin të drejtat e tyre Shkrimtari Halil Matoshi, koleg gazetar i Rekës, në atë kohë dhe mik i tij, ka thënë se tregimi më i dhimbshëm, por edhe më frymëzues i mbijetesës në epokën tonë lidhet me minatorët.
Ka treguar se 33 minatorë të Kilit, në San José, më u bllokuan në 700 metra thellësi në shkretëtirën Atacama. Ka thënë se një dokumentar i realizuar për ata ka frymëzuar kombëtaren e Kilit në futboll. Sipas tij, rrëfimi i minatorëve të Kosovës duhet të frymëzojë kombëtaren në futboll e edhe politikanët.
“Drama ndodh në katin e shtatë të përmbysur, ku drita e diellit nuk ndrit, por merr formën e syve njerëzorë që nxjerrin gacrria. Minatorët u shndërruan në skulptura të njerëzve që lypin liri. Monumente të gjalla prej mishi e të lyera me plumb, duke rrahur me kazmat e fundit të shpirtit portat e ndryshkura të një regjimi gjakatar, skaliten me britmën e tyre sagën për lirinë e Kosovës.
Një komb u kryengrit duke u motivuar nga gatishmëria për flijim e këtyre minatorëve”, ka thënë ai. Sipas tij, minatorët së bashku me liderët e tyre, Aziz Abrashi e Burhan Kavaja, ia dhanë goditjen e parë këtij fashizmi. “Goditja e dytë ishin dy gishtat e rezistencës rugoviane dhe e treta, për finale, plumbi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Matoshi.
Sipas tij, kujtesës kolektive të kombit, pa historinë e treguar përmes fotografive të maestro Rekës, do t’i mungonte akti sublim i dramës, klithma.
Imazhet përshkruajnë minatorët në demonstratat e vitit 1988 dhe grevën e vitit 1989 Burhan Kavaja, i cili asokohe qe drejtor i Minierës së Trepçës, ka treguar se kombinati kishte 21 mijë e 750 punëtorë me të ardhura 200 milionë dollarë e eksport 120 milionë dollarë. Ka thënë se paraprakisht kombinati u gjend në vështirësi për shumë arsye si mbipunësimi e kreditë që nuk i shfrytëzoi vetë.
Sipas tij, Aziz Abrashi si udhëheqës i krejt Kombinatit, bashkë me stafin e tij, përmirësuan gjendjen. “Furnizimi gjatë gjithë kohës është bërë nga Krushevci dhe ky qytet zhvillimin më të madh e kishte nga Trepça. Është ndërprerë dhe furnizimi është bërë nga ndërmarrjet e Kosovës. Kemi shkatërruar rrjetën serbomadhe dhe pastaj e kemi pasur më lehtë që ta bëjmë një rezistencë”, ka thënë ai.
Ka shtuar se është shumë me rëndësi të dihet se një pjesë e përgjegjësisë për shembjen e Jugosllavisë është e minatorëve që janë në imazhet e Rekës. Vetë autori i fotografive ka treguar se një koleg i tij nga Beogradi, për një agjenci austriake, kishte raportuar se gjoja minatorët në mbrëmje shkojnë në shtëpi dhe në mëngjes, të pastruar, i bashkohen grevës.
“Unë e pasqyrova se nuk ishte ashtu. Realisht ata kishin aty ujin e ngrohtë për larje, po aty”, ka thënë Reka. Ka treguar se pas luftës i ishte thënë se fotografitë e tij ua kishin mundësuar shumë minatorëve që t’u pranohej kërkesa për azil në vende të ndryshme. Por fotografitë e Rekës po ashtu shumë vendeve të botës i treguan për dramën në zgafellat e Trepçës.
Për dramën e shqiptarëve të Kosovës.
