Nga: Veton Surroi Shpërndaje në: Çfarëdo vendimi që merr Kosova lidhur me ofertën për gazin LNG, politika e saj energjetike është pa gazin tashmë e lidhur strategjikisht me SHBA-në 1. Tri gjëra më duken bukur të qarta që në fillim të debatit lidhur me nevojën apo jo të kyçjes të Kosovës në ndonjë rrjet që do të sillte gaz LNG amerikan.
E para është se vendimi për apo kundër nuk do ta shpëtonte Kosovën nga varësia ruse e gazit. Për dallim prej Gjermanisë, Sllovakisë, Hungarisë a Serbisë, Kosova nuk ka blerë gaz prej Rusisë dhe ekonomia e amvisëritë e saj nuk përdorin gazin, kështu që blerja apo jo e gazit amerikan nuk do të ndryshojë gjë në sigurinë energjetike të Kosovës karshi Rusisë.
Me fjalë të tjera, Kosova nuk ka varësi energjetike prej Rusisë, pra nuk ka si të pavarësohet. E dyta, rrjedhimisht, është se meqë Kosova nuk ka infrastrukturë e traditë për përdorimin e gazit, blerja apo jo e gazit amerikan nuk ka të bëjë me besnikëri apo jo ndaj SHBA-së, por ka të bëjë me vendim strategjik për zhvillimin e sektorit të energjetikës si pjesë e zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik.
Dhe e treta, dhe në rrjedhë me dy pikat e para, vendimet strategjike kanë pasoja afatgjata, kanë nevojë për studim të gjithanshëm dhe tejkalojnë zënkat e politikës ditore e posaçërisht ato që tërë debatin do ta reduktojnë në cektësinë e deklarimit të ortodoksisë: kush është për gazin dhe Amerikën dhe kush është kundër gazit dhe Amerikës.
Ngritja e zërit zhurmues në debat nuk e ngre vlerën e argumenteve. Këto ditë, për fat të keq ka shumë zhurmë, pak argumente. 2. Pra, meqë absolvuam se çështja e gazit nuk është në këtë rast e për Kosovën gjeopolitikë (blerja e gazit amerikan për të zëvendësuar gazin rus), ajo nuk është rrjedhimisht as çështje e partneritetit strategjik.
Blerja e gazit LNG është blerje e një produkti të ndërmjetësuar nga një kompani amerikane dhe nuk është blerje e certifikatës në të cilën shkruan se je partner strategjik i Shteteve Bashkuara të Amerikës. Në analogji, ai që blen veturën “Tesla” nuk ka blerë statusin e partnerit të SHBA-së, por një produkt të prodhuar në atë vend. Kjo nuk do të thotë se çështja nuk ka dimension gjeopolitik.
Për Kosovën, gjeopolitika nuk është çlirimi nga varësia ruse, sepse ajo nuk ekziston. Gjeopolitika është zgjedhja e pozitës së saj në arkitekturën e re energjetike të Ballkanit dhe Evropës Juglindore, në të cilën SHBA-ja po ndërton korridore të reja të furnizimit, ndërsa Evropa po kërkon rrugë të reja të elektrifikimit dhe fleksibilitetit energjetik.
Por, megjithëkëtë, ja edhe tri gjëra që më duken të qarta, për aq sa mund të jenë për një njeri që nuk është i lidhur profesionalisht me këtë temë, por ka kaluar një kohë të konsiderueshme duke lexuar për problemin. E para, çfarëdo vendimi që do të ndërmarrë Kosova lidhur me ofertën për gazin LNG, politika e saj energjetike është pa gazin tashmë e lidhur strategjikisht me SHBA-në.
Kosova ka kërkuar që ta bëjnë rimëkëmbjen e termocentraleve ekzistuese me teknologji amerikane dhe projektin për gazifikimin e thëngjillit. Ky i fundit mund të jetë njëri prej projekteve më serioze industriale në historinë e Kosovës, nëse provohet fizibiliteti i tij ekonomik dhe teknologjik.
Teknologjia amerikane e fjalës së fundit mund të përdorë thëngjillin e Kosovës jo vetëm për gaz sintetik, por për industri kimike, amoniak, metanol e madje edhe hidrogjen, duke e shndërruar linjitin nga lëndë djegëse në lëndë të parë industriale. E dyta, vendimi për LNG është vendim strategjik.
Kontrata për furnizim me gaz është në formë tipike së paku njëzetvjeçare dhe Kosova duhet ta shohë veten si shpenzuese e gazit së paku deri kah mesi i shekullit.
Edhe po të merreshin në ditën e parë të punimeve të Kuvendit të Kosovës vendimet për LNG apo për gazifikim, ndërtimi i impianteve do të tejkalonte mandatin kohor të kësaj legjislature dhe një pjesë të madhe të legjislaturës së ardhshme, gjegjësisht edhe të dy mandateve presidenciale amerikane.
Pra, edhe po të lihet anash boshllëku i debatit për apo kundër Amerikës, vendimi strategjik kërkon debat më të thelluar sesa thirrja në urgjencë (do të mbyllet dritarja e mundësisë) apo vlerësim hamendësues (është më mirë me pasë gaz se mos me pasë). Dhe e treta, ky debat nuk bëhet në arë të palëvruar.
SHBA-ja ka disenjuar me Kosovën njërën rrugë të diversifikimit energjetik të saj me projektin e MCC dhe donacionin e sistemit të baterive që duhet ta ruajnë energjinë e mbledhur nga burime të ripërtëritshme.
Ky projekt mund të shihet si pararendës i një paradigme të re energjetike: jo thjesht shtim kapacitetesh prodhuese, por krijim i një sistemi fleksibil ku bateritë, burimet e ripërtëritshme dhe prodhuesit e vegjël familjarë (“prosumers”) bëhen pjesë aktive e sigurisë energjetike 3. Dhe, në rrjedhën e të gjitha atyre gjërave që m’u dukën të qarta më sipër, ja edhe tri të tjera.
E para është se çfarëdo vendimi që duhet ta marrë Kosova do të duhet të matet me të ardhmen. Energjetika, si dhe çdo gjë tjetër, po ndryshon në formë dramatike dhe vendimet që merren duhet të bëhen në këtë kontekst.
Pra, nëse Kosova nuk ka krijuar deri tani varësi gazi, të teknologjisë të gjysmës së dytë të shekullit XX, a duhet të ndërtohen stabilimentet e së kaluarës për energjinë e së ardhmes? E dyta është çfarëdo vendimi duhet të marrë shembuj konceptualë analogjikë të sfidave teknologjike.
Estonia, në t’u pavarësuar, bëri në formë të vetëdijshme kapërcimin teknologjik të modernizimit të administratës, dhe krijoi qeverisjen elektronike. Disa shtete afrikane, të ballafaquara me sfidën e shtrirjes së kabllove telefonike vendosën të kalojnë në teknologji celulare.
Bullgaria, e varur nga gazi rus në fillim të luftës së Ukrainës vendosi të krijojë ambient të favorshëm për energji diellore, duke i pesëfishuar kapacitetet brenda një periudhe shumë të shkurtër. E treta, jetojmë në një revolucion teknologjik, shpejtësia e ndryshimit është e paprecedentë në çdo segment inovativ.
Transformimi më i madh nuk është bërë në gaz e naftë, por në energji të ripërtëritshme dhe eksploatimin e qymyrit. Panelet fotovoltaike në fillim të këtij dhjetëvjetëshi kishin arsyeshmëri ekologjike, por jo edhe ekonomike; sot mund të kthejnë investimin në një shtëpi familjare për 6-8 vjet.
Gazifikimi i thëngjillit ka gjetur formulën e zbritjes dramatike të ndotjes, prodhimit të energjisë dhe plehrave artificiale njëkohësisht me përdorimin e CO2 për nevoja industriale. 4. Dhe, për fund të kësaj rrjedhe të gjërave që më duken të qarta, ja tri përfundimtaret. E para, debati për gaz LNG nuk është njëra prej temave për tifozërinë ditore a javore.
Ai duhet të largohet nga politika ditore, hamendësime në rrjete sociale, debate të përnatshme televizive dhe të zbresë në analiza ekonomike brenda konceptit strategjik zhvillimor të vendit. E dyta, vendimet që duhet t’i marrë Kosova duhet të identifikojnë ndryshimet që po vijnë, apo në fjalët e sociologut amerikan, Thomas Kuhn “ndryshimit të paradigmës”.
Formula këtu është, në formë të thjeshtësuar që për sfidat e së ardhmes të mos kërkohen zgjidhjet teknologjike të së kaluarës.
Në thjeshtësimin e dilemave, për shembull, do të ishte: a duhet investuar në rrjetëzimin e përdoruesve të gazit LNG apo rrjetëzimin e “prosumers” (kalk nga “producers”dhe “consumers”, amvisëritë që prodhojnë dhe konsumojnë energjinë e vet elektrike nëpërmjet paneleve fotovoltaike)?
Kjo nuk është më vetëm çështje energjetike; është zgjedhje paradigme zhvillimore për gjysmën e dytë të shekullit XXI. Dhe e treta, vendime të këqija nuk janë vetëm ato që marrin erë korrupsion apo që nuk kanë arsyeshmëri ekonomike. Ndër vendimet e këqija është edhe mosmarrja e vendimeve, shpenzimi i kohës në debate të papërfunduara, siç ka kaluar ky çerek shekulli.
