Një 46-vjeçar nga Prishtina është shpëtuar nga Policia Kufitare në Velipojë, pasi kishte mbetur në det si pasojë e një defekti në mjetin e tij lundrues. Sipas Policisë së Shtetit, në operacion u angazhuan mjetet lundruese të Policisë Kufitare, si dhe operatorë turistikë të zonës, të cilët kontribuuan në kërkimin e mjetit, pasi fillimisht nuk dihej vendndodhja e tij.
“Pas kërkimeve, shërbimet e Policisë Kufitare lokalizuan mjetin lundrues në thellësi të lumit Buna, rreth 17 milje nga grykëderdhja” – thuhet në njoftim.
Në komuniktën e Policisë së Shtetit thuhet se shërbimet e Policisë Kufitare i dhanë ndihmën e nevojshme shtetasit dhe bënë të mundur shoqërimin e sigurt të tij dhe të mjetit lundrues drejt vendstacionimit të mjeteve lundruese në Pulaj, Velipojë.
