Goditjet e SPAK, Klodian Braho: Reforma në drejtësi po jep frytet e saj

0%

Procesi i vettingut dhe efektet e tij në sistemin e drejtësisë ishin në fokus të një konference të zhvilluar këtë të martë, ku morën pjesë drejtues të institucioneve të drejtësisë. Kreu i SPAK, Klodian Braho, tha se rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e besimit të publikut te drejtësia dhe në transformimin e sistemit. “Vettingu ndikoi në ripërtëritjen e sistemit të drejtësisë. Besimi i qytetarëve tek drejtësia nuk mund të kërkohet pa përgjegjshmëri individuale. Standardet e vettingut reflektohen dhe në punën e përditshme. Gjyqtarët dhe prokurorët tashmë kanë kaluar në filtra të sigurt, që qytetarët të krijojnë besim tek drejtësia. Dua të falënderoj të gjithë ata, që morën pjesë në këtë proces historik ”, deklaroi Braho. Duke u ndalur te ndikimi i vettingut në funksionimin e Strukturës së Posaçme, ai theksoi se procesi ka ndihmuar në krijimin e institucioneve të reja dhe në rritjen e standardeve profesionale. “Për SPAK, vettingu ka pasur një rol të veçantë. Tashmë drejtësia përfaqëson interesin publik me profesionalizëm e me paanshmëri. Institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi tashmë kanë pjekurinë e duhur. Tani duhet që të ruajmë standardet që kemi arritur”, u shpreh kreu i SPAK. Në konferencë foli edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, i cili vlerësoi rezultatet e procesit të rivlerësimit në sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë. Sipas Metanit, organet e vettingut kanë kryer një proces të rëndësishëm verifikimi të integritetit dhe profesionalizmit të magjistratëve, duke larguar nga sistemi individët që nuk plotësonin kriteret e përcaktuara. Ai theksoi se, si rezultat i reformës dhe procesit të rivlerësimit, drejtësia në Shqipëri konsiderohet sot më e besueshme dhe me standarde më të larta se para vitit 2016. Konferenca u përqendrua te rezultatet e deritanishme të vettingut dhe te sfidat që lidhen me ruajtjen e standardeve të vendosura pas reformës në drejtësi.

Burimi: Bota Sot