Policia Kufitare në Velipojë ka ndërhyrë me sukses për të ndihmuar një shtetas që kishte mbetur në det të hapur dhe rrezikonte mbytjen, pas një defekti në mjetin lundrues. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, pas marrjes së sinjalizimit për një skaf që kishte pësuar defekt në hapësirën ujore, janë organizuar menjëherë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një mjet lundrues që kishte pësuar defekt dhe ndodhej në vështirësi në hapësirën ujore, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan dhe zhvilluan operacionin për lokalizimin dhe dhënien e ndihmës”, thuhet në njoftim.
Në operacion janë angazhuar mjetet lundruese të Policisë Kufitare, si dhe operatorë turistikë të zonës, të cilët kanë ndihmuar në kërkim, pasi fillimisht nuk dihej vendndodhja e saktë e mjetit. Pas kërkimeve, mjeti lundrues është lokalizuar në thellësi të lumit Buna, rreth 17 milje nga grykëderdhja. Nga verifikimet rezultoi se skafi tip “Morea” drejtohej nga shtetasi A.
B., 46 vjeç, banues në Prishtinë, i cili kishte mbetur në det si pasojë e një defekti në motor. “Shërbimet e Policisë Kufitare i dhanë ndihmën e nevojshme shtetasit dhe bënë të mundur shoqërimin e sigurt të tij dhe të mjetit lundrues drejt vendstacionimit të mjeteve lundruese në Pulaj, Velipojë”, thuhet më tej në njoftim.
Policia Kufitare thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke u bërë thirrje që në raste emergjente të kontaktojnë numrin 112.
