Pas 24 ditësh protestash të pandërprera në Shqipëri, Mërgata Shqiptare në Botë (MSHNB), me seli në Nju-Jork të SHBA-së, dhe Rrjeti i Intelektualëve Mbarëshqiptarë (RRIMSH), me seli në Tiranë, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me zhvillimet e fundit në vend.
Në deklaratën e tyre, dy organizatat theksojnë se i kanë ndjekur me vëmendje protestat që nga dita e parë, duke vlerësuar se protestat paqësore janë një e drejtë legjitime e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre. Megjithatë, mbështetja e tyre për këto protesta kushtëzohet nga disa parime themelore.
Sipas deklaratës, protestat duhet të kenë si synim ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë për të gjithë qytetarët, të mos ndikohen nga agjentura të huaja, të jenë kundër çdo forme keqpërdorimi në vend dhe të mos përmbajnë infiltrime fetare apo ideologjike.
“Ne do t’i mbështesnim këto protesta, të parat e këtij lloji, me pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, nga mërgata, nga Çamëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga të gjitha trojet shqiptare anembanë globit”, thuhet në deklaratë. Dy organizatat shprehen në favor të protestave paqësore, duke nënvizuar se ato duhet të zhvillohen pa cenuar rendin publik dhe me kërkesa të qarta e të sinqerta.
Sipas tyre, Shqipëria ndodhet përballë një momenti të rëndësishëm historik dhe mund të hyjë në një periudhë që e cilësojnë si “epokale”, nëse protestat mbeten gjithëpopullore, larg ndikimeve partiake, ideologjike apo fetare.
“Nëse është kështu, këto protesta duhet të përkrahen jo vetëm nga shqiptarët në Shqipëri, por edhe nga të gjithë shqiptarët jashtë kufijve administrativë të saj”, theksohet më tej.
Në fund të deklaratës, Mërgata Shqiptare në Botë dhe Rrjeti i Intelektualëve Mbarëshqiptarë shprehin mbështetjen e tyre për protestat e deritanishme, duke uruar që ato të shërbejnë si zëri i qytetarëve për ndryshime të thella dhe afatgjata në vend.
Deklarata mban datën dhe është nënshkruar nga Bahri Ramadani, në emër të Mërgatës Shqiptare në Botë, dhe Frederik Ruçi, në emër të Rrjetit të Intelektualëve Mbarëshqiptarë.
