Rok grupi “Minatori”, do të hapë edicionin e gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival, më 4 korrik nën qiellin e hapur në Marigona Hill. Më herët është bërë e ditur se tenori ynë me famë ndërkombëtare dhe njëkohësisht themeluesi i festivalit, Ramë Lahaj do të ngjitet në skenën e Gala Night “Rame Lahaj & Friends”, më 29 korrik, në zemër të Prishtinës.
Njoftimi: Këtë vit, Rame Lahaj International Opera Festival do të nisë me një ngjarje historike: grupi legjendar i rock-ut kosovar Minatori, do të ngrejë siparin e edicionit të gjashtë duke krijuar një atmosferë të paharrueshme nën qiellin e hapur të Marigona Hill. Që nga vitet ’80, Minatori ka qenë shumë më tepër se një grup muzikor.
Me energjinë e tyre të pakrahasueshme, tingullin autentik rock dhe këngët që kanë shoqëruar breza të tërë, ata janë bërë simbol i identitetit kulturor dhe i frymës artistike të Kosovës. Këngët ikonike si “Të dua sa Kosovën”, “Molla me shërbet”, “Mihane” dhe “Athua ëndërr ishe ti” vazhdojnë të jehojnë në zemrat e publikut shqiptar edhe sot.
Mos humbisni këtë mbrëmje që premton emocion dhe nostalgji. Shënoni datën dhe ejani të nisim së bashku një tjetër kapitull të festivalit tonë me tingujt e një legjende.
