Bisedimet mes partive politike rreth formimit të institucioneve të reja pritet të fillojnë tek pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, ndonëse tashmë dihet se nga sa ulëse në Kuvendin e Kosovës i ka siguruar secili subjekt politik.
Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më konfirmoi se nuk ka komunikim me partitë tjera sa i përket votimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit të ri. “Porsa të certifikohet rezultati [zgjedhor], fillojmë komunikimet menjëherë”, ka deklaruar shkurt Kurti .
Derisa më herët kishte thënë se synon bashkëpunim vetëm për çështjen e presidentit, gjatë së martës, ai nuk ka komentuar asgjë në lidhje me ndonjë marrëveshje të mundshme. “Ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e konstituimit të institucioneve. Sa më shpejt aq më mirë. Natyrisht, ju e dini, që për çështjen e presidentit, ne nuk mund ta bëjmë vetë këtë…
Në këto rrethana neve na duhet bashkëpunim dhe do të mundohemi që të bashkëpunojmë me opozitën për çështjen e presidentit. Shpresoj që kësaj radhe të ndryshoj qasja e opozitës. Nuk kanë munguar ofertat nga ana jonë as në të kaluarën. Duhet të përfundoj sjellja refuzuese e opozitës”- kishte thënë Kurti më , derisa ende nuk kishte përfunduar procesi i numërimit të votave.
Profesori i shkencave politike në Kolegjin UBT, Dritëro Arifi, gjatë një bisede me Kallxo.com duke folur për mundësitë për marrëveshje mes partive politike, ka thënë se teorikisht gjithmonë ekziston mundësia për t’u ndërtuar institucionet, kjo pasi, rezultatet preliminare të zgjedhjeve veçse dihen.
Por, në aspektin praktik, ai konsideron se diskursi politik i partive kundër njëra-tjetrës gjatë 18 muajve të fundit ka qenë jashtëzakonisht negativ dhe jo miqësor. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, Arifi përkujton se gjërat rrjedhin me afate dhe veprimet politike janë të kufizuara.
Ndonëse është i bindur se nëse nuk bëhen veprime nga partitë politike mund të kemi zgjedhje shumë shpejtë, ai i sheh dy mundësi për të cilat beson se Lëvizja Vetëvendosje mund të bëjë ndonjë kompromis. “E para është që të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, pra ku njërës nga partitë shqiptare, mund t’i kërkohet të bashkëpunojë edhe në qeverisje, pra edhe për pozitën e presidentit.
Opsioni i dytë – që është ndoshta më i lehtë për Vetëvendosjen për të bërë kompromis pak më ndryshe – është një marrëveshje jo klasike , në njëfarë mënyre që kryetari i parlamentit mund t’i takojë partive opozitare, apo edhe presidenti, por pa pjesëmarrje në qeverisje.”- konsideron Arifi. Opsionin e dytë, Arifi e sheh si më të lehtë për LVV-në për ta pranuar.
Ai konsideron se ish-opozita nuk do të ishte e gatshme ta merrte vetëm presidentin, por marrëveshja e mundshme do të varej se çfarë do të kishte në “paketën parciale”- pasi një marrëveshje e tillë nuk do ishte gjithëpërfshirëse. Sipas tij, nëse do të ketë dialog mes partive, ai do të zhvillohet për këto dy elemente.
Seb Bytyçi, profesor në Universitetin Bath Spa në Angli, duke folur për Kallxo.com, sheh pak gjasa që të ketë një marrëveshje për qeverisje mes partive politike. Derisa për votimin e qeverisë duhen 61 vota në Kuvend, për zgjedhjen e presidentit duhet kuorumi prej së paku 80 votave.
Vet LVV, sipas rezultateve preliminare ka marrë 53 ulëse në Kuvend, PDK 22, LDK 18, AAK 7 dhe partitë tjera të komuniteteve joshumicë kanë 20 ulëse. “Më shumë ka gjasa që të ketë marrëveshje për kuorum me idenë që të ketë një president konsensual”- ka thënë Bytyçi.
Në pyetjen, se a mund të ndikojë procesi i zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës dhe përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bytyçi konsideron se më e mundshme është një marrëveshje mes LDK-së dhe LVV-së. “LDK është më e mundshme ta bëj këtë marrëveshje, gjithashtu edhe për ndonjë marrëveshje eventuale për qeverisje të përbashkët.”- ka thënë ai.
Dritëro Arifi, në anën tjetër ka thënë se ndonëse në PDK pritet që deri në shtator të përfundojnë zgjedhjet e brendshme, partia do të jetë e kujdesshme që mos të dëmtojë reputacionin e lidershipit të ardhshëm, kushdo që do të jetë aty. Për këtë arsye, ai konsideron se kjo parti do jetë më e kujdesshme edhe në formulim të fjalive që nuk ka ‘vija të kuqe’.
Por kjo, sipas tij, nuk do të thotë se PDK do të pranojë gjithçka. “Pra, minimumi çfarë mund të bëjë Partia Demokratike, për çështjen e presidentit dhe eventualisht ajo që e përmenda, një marrëveshje gjysmake, pra edhe për kryetarin e Kuvendit, në njëfarë mënyre që mos të hyhet në qeverisje, kinse të mbetet në opozitë, pra duke krijuar një rol më atraktiv në politikbërje.”- thotë Arifi.
Sa i përket LDK-së, ai konsideron se problemi është më i shtruar në strukturë për shkak se objektivat kanë qenë të ndryshme dhe arritjet janë krejt ndryshe. Ai konsideron se LDK do të dëmtohej më shumë nëse ka një qeverisje më të gjerë. Sipas tij, LDK në atë rast do shihej më shumë si parti ndihmëse e Kurtit sesa si parti që mund të bëjë më shumë në qeverisje.
“Besoj që Lidhja Demokratike do ta ketë shumë vështirë që ta akceptojë që mos të jetë Vjosa Osmani presidente. Ata edhe mund ta bëjnë, edhe e kanë thënë publikisht, për këtë edhe kanë nxitur debate brenda partisë, se për çka i bënë të gjitha ato ndryshime, vetëm për të akomoduar disa persona. Pra, në njëfarë mënyre, Lidhja Demokratike do të jetë kaotike.
Edhe nëse arrihet një kompromis, e ka me një pikëpyetje se a do t’i ketë të gjitha votat për një bashkëpunim çfarëdo lloj forme që do ta ketë me Vetëvendosjen.”- konsideron Arifi.
Pasi që 7 qershori ishte cikli i tretë zgjedhor brenda 18 muajsh sa i përket Kuvendit të Kosovës, një cikël tjetër me rastin e mosarritjes së një marrëveshje për të zgjedhur presidentin e ri, do e dëmtonte vendin në disa aspekte. Seb Bytyçi konsideron se nëse nuk ka vullnet për kompromis, vendi me domosdoshmëri shkon përsëri në zgjedhje.
“Kjo do të dobësonte shumë imazhin e Kosovës, sidomos kur Kosova kërkon që të avancojë në statusin e anëtarësimit në BE.”- ka thënë Bytyçi. Gjasat për përsëritjen e krizës i sheh si shumë reale Arifi. Megjithatë ai konsideron se zgjedhjet e reja nuk janë të pashmangshme.
Sigurisht se a shkohet apo jo në zgjedhje të reja, do të varet nga qasja e partive politike që kanë me formimin e institucioneve, megjithatë Arifi konsideron se pasojat mund të jenë në disa nivele, duke filluar nga “lodhja demokratike” e cila u vërejt edhe në zgjedhjet e fundit kur dalja në zgjedhje ishte në nivel të ulët e sidomos pas shpalljes së pavarësisë.
Ai shpjegon se kur dalja në zgjedhje është e ulët, evidentohet dhe tregohet se partitë nuk kanë arritur të mobilizojnë qytetarin dhe ka një frustrim të heshtur që do e dëmtonte edhe më shumë legjitimitetin e institucioneve.
“E dyta, po besoj që është edhe më tragjike, është bllokimi i reformave dhe i fondeve ndërkombëtare, sepse ne vetëm se jemi shumë vonë sa i përket reformave dhe integrimit evropian dhe rrjedhimisht mund të kemi edhe bllokim të fondeve ndërkombëtare nëse nuk prodhojmë rezultate konkrete sa i përket reformave dhe kjo do të ishte një dëm me pasoja afatgjata për Republikën.”- ka treguar profesori Arifi.
Megjithatë, ai tregon se këto nuk janë pasojat e vetme. Me pasoja afatgjate, ai e sheh dobësimin e pozitës ndërkombëtare të vendit. Arifi shtron edhe një pyetje, se nëse Kosova nuk ka qeveri, kuvend e presidencë legjitime, si mund të nënshkruaj dhe të marrë përgjegjësi ndërkombëtare apo të kontribuojë në çfarëdo forme? E kjo e dëmton më së shumti shtetin e Kosovës, sipas tij.
“Në nivelin shoqëror, po besoj që do të kemi një radikalizim të kërkesave nga brenda qytetarëve, sepse sa më shumë që zgjat bllokada, aq më shumë edhe retorika e partive ka me u transformuar në kërkesa më radikale ku kompromisi shihet më shumë si dobësi sesa si zgjuarsi dhe kjo do ta prodhojë një fitore simbolike të partive, por duke humbur në njëfarë mënyre funksionalitetin e shtetit.”- ka thënë Arifi.
“Edhe nëse bëhen koalicionet, duhet të ketë politika qeverisëse të qarta, reforma të qarta të paktën në tri-katër sektorë se çka duhet të bëhet në katër vitet e ardhshme. Pra, kjo është ajo që po dëmtohet më shumë: funksionaliteti dhe zhvillimi i shtetit.”- përfundoi ai.
Ngjashëm me Kurtin – se diskutimet për krijimin e institucioneve të reja do të fillojnë më vonë e jo tash – janë deklaruar edhe Donika Gërvalla nga Guxo, më , Alban Bajrami i LVV-së më dhe Arbër Rexhaj, deputet tjetër i LVV-së më . Megjithëse këto deklarata i kanë dhënë nga partia fituese, në partitë tjera ka qëndrime të ndryshme rreth ecjes përpara.
Lutfi Haziri, nënkryetari i LDK-së më në emisionin Pressing në T7, ka thënë se partitë duhet të kenë një marrëveshje në pako. “Kësaj here kemi shkuar në zgjedhje për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit. Kjo kërkon që partitë politike, duke e përfshirë rolin e partisë së parë… duhet të hyjnë në funksion të një bashkëpunimi dhe të arrihet një marrëveshje pako”- ka thënë Haziri.
Në anën tjetër, Ariana Musliu-Shoshi e Partisë Demokratike të Kosovës, më ka konfirmuar për Kallxo.com se në këtë parti ende nuk janë diskutuar hapat përpara. “Nuk është diskutuar fare. Kemi mbajt vetëm një mbledhje të Kryesisë. Në atë mbledhje kemi folur për zgjedhjet e brendshme, por nuk kemi diskutuar se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm sa i përket kësaj çështjeje”- ka thënë ajo.
Nga partia tjetër shqiptare në Kuvend, Aleanca nuk kanë komentuar fare çështjen e konstituimit të institucioneve. Zgjedhja e presidentit të ri mbetet një nga sfidat më të mëdha pas përfundimit të procesit zgjedhor. Nëse Kuvendi konsituohet shpejt, deputetët e rinj do të kenë 60 ditë afat për ta zgjedhur kreun e vendit.
Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në seancën e fundit, e cila kishte nisur më 27 prill dhe përfundoi më 28 prill, nuk pati kuorum për votim.
Ndonëse juridikisht nuk ka një dispozitë të prerë që përcakton se cili proces duhet të ketë përparësi absolute, në një rast të tillë kur Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se 60 ditë është afati për zgjedhjen e presidentes, njohësit e Kushtetutës dhe çështjeve ligjore vlerësojnë se, për shkak të afateve dhe rrezikut nga vakumi institucional, zgjedhja e kryetarit të shtetit duhet të jetë prioriteti kryesor.
Paragrafi numër 182 i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës , specifikon se Kuvendi ka në dispozicion afatin gjashtëdhjetë (60) ditor përpara hyrjes në periudhën tridhjetë (30) ditore të përcaktuar me paragrafit 2 të nenit 86 të Kushtetutës.
Megjithatë, sipas aktgjykimit, në kontekst të rrethanave të rastit, ndërlidhur me afatin e përcaktuar kushtetues të zgjedhjes së Presidentit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional dhe duke iu referuar qëllimit të normave kushtetuese, “Gjykata vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit.” Derisa numërimi i votave të partive politike ka përfunduar, ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare pasi që pritet a do të ketë ankesa në Gjykatën Supreme dhe eventualisht deri në epilogun e rastit.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare pritet përfundimi i afatit për ankesa përsëri për t’u certifikuar rezultati pastaj dhe të fillojë afati 30 ditor për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
