Zyra Kombëtare e Auditorit ka konstatuar se Komuna e Gjakovës gjatë vitit 2025 kishte lidhur 12 aneks-kontrata për punë shtesë, duke e quajtur si “dukuri të shpeshtë”. Aneks-kontratat, sipas ZKA-së, ishin lidhur kryesisht për asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e kanalizimeve dhe renovimin e objekteve.
“Punët shtesë ishin arsyetuar nga menaxherët e kontratave, dhe ishin aprovuar nga ZKA dhe lejohen edhe me ligj. Megjithatë vërehet qartë se kjo ishte bërë dukuri e shpeshtë” – thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Komunës së Gjakovës për vitin 2025.
“Shkaktarët kryesorë për këtë ishin tek hartimi i dobët i projekteve bazike, ku si rezultat i implementimit të tyre pothuajse pjesa dërrmuese e tyre përcillen me kosto shtesë – anekse për t’u përmbyllur” – thuhet tutje në raport. Zyrtarët komunalë të Gjakovës kishin dhënë shpjegime tek Auditori.
“Sipas zyrtarëve të komunës, arsyet e numrit të lartë të aneks-kontratave ishin për shkak të dobësive në projektim dhe hartim të projekteve ekzekutive, me ç’rast pa to nuk mund të kompletoheshin projektet, në disa raste ishin kërkesat e komunitetit për zgjatjen e rrugëve dhe asfaltimin e segmenteve të reja, zgjatjen e rrjetit të kanalizimit, etj.” – thuhet në raportin e ZKA-së.
Numri i lartë i aneks-kontratave, në një institucion publik, sipas ZKA-së, nxjerr në pah mangësitë në planifikimin e projekteve dhe hartimin e dobët të tyre, duke krijuar kosto shtesë. Komuna e Gjakovës është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së. Komuna e Gjakovës ka pranuar opinion të kualifikuar nga ZKA në raportin për vitin 2025.
ZKA jep opinion të kualifikuar kur raportet financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Në raportin e vitit 2025, Komuna e Gjakovës ka marrë 16 rekomandime, prej tyre 10 janë të reja, pesë të përsëritura dhe një pjesërisht e përsëritur. Ndërsa në vitin paraprak, kishte marrë tri rekomandime më pak, gjithsej 13.
Deri në fund të procesit të auditimit të vitit 2025, ZKA njofton se shtatë rekomandime janë zbatuar, pesë rekomandime nuk janë zbatuar ende dhe një rekomandim ishte zbatuar pjesërisht. Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për Komunën e Gjakovës mund ta gjeni KËTU .
