Auditimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit për Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), identifikoi vonesa në trajtimin e ankesave nga ekspertët shqyrtues, ku raportet nuk ishin përgatitur gjithmonë brenda afateve ligjore të përcaktuara.
Në 12 raste, eksperti shqyrtues ka vonuar raportet deri 26 ditë për shkak të neglizhencës dhe moskryerjes me përgjegjësi të detyrave, potencohet në raportin e vitit 2025 të ZKA-së për OSHP-në.
“Në 12 raste të vlerësimit me shkrim mbi aktivitetin e prokurimit dhe vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të përfshira në ankesë, raporti nga eksperti shqyrtues nga marrja e lëndës në shqyrtim, ka pasur vonesa nga një (1) deri në 26 ditë.”- konstaton auditori.
Raporti bën të ditur se kjo kishte ndodhur për shkak të neglizhencës dhe mosmarrjes me përgjegjësi të plotë të detyrave dhe përgjegjësive të ekspertit shqyrtues.
Sipas nenit 114 të Ligjit të Prokurimit Publik, eksperti shqyrtues brenda 10 ditëve nga emërimi duhet të shqyrtojë dokumentacionin, të intervistojë palët nëse është e nevojshme dhe të paraqesë një vlerësim me shkrim për aktivitetin e prokurimit dhe pretendimet e ankesës.
Auditori vlerëson se vonesat në trajtimin e lëndëve nga ekspertët shqyrtues mund të ndikojnë në shtyrjen e realizimit të projekteve nga autoritetet kontraktuese dhe vonesa në trajtimin e depozitave të ankuesve. Gjithashtu sipas ZKA-së, rrit rrezikun për vendimmarrje të anuluara apo të kontestuara në gjykatë, si dhe përballje me pasoja ligjore për OSHP-në.
Kreut të këtij institucionin, ju rekomandua të sigurojë që raportet e ekspertëve të trajtohen brenda afateve ligjore. “Kryetari i OSHP-së duhet të siguroj që raportet e ekspertëve shqyrtues të jenë të trajtuara në përputhje me afatet e përcaktuara ligjore dhe rregullative duke siguruar ligjshmërinë e tyre dhe arritjen e objektivave të OSHP-së, përfshirë misionin dhe vizionin e strategjisë.”- rekomandon ZKA.
Organi Shqyrtues i Prokurimit është pajtuar me gjetjen e raportit. Për më tepër, nëpërmjet letër konfimimit, e cila mban datën e ka konfirmuar pranimin e draft-raportit për auditimin e pasqyrave financiare vjetore të Organi Shqyrtues i Prokurimit për vitin 2025, dhe janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet, pa ndonjë koment shtesë për përmbajtjen e raportit.
OSHP ka marrë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore. ZKA jep opinion të kualifikuar kur pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Raporti i auditimit i vitit 2025 për OSHP-në ka rezultuar me tetë rekomandime, prej tyre pesë janë rekomandime të reja dhe tri rekomandime të përsëritura.
Kurse në vitin paraprak OSHP kishte marrë tri rekomandime më pak, në total pesë rekomandime. Deri në fund të auditimit të realizuar nga ZKA për vitin 2025, tri rekomandime nuk janë zbatuar, ndërsa dy rekomandime janë të mbyllura. Ndryshe, Zyra Kombëtare e Auditimit ka njoftuar se për vitin 2025 ka kryer 133 auditime.
Po ashtu, në konferencë për media nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është njoftuar se 80 raste janë dërguar në prokurori gjatë vitit 2025. Raportin e plotë të auditimit për vitin 2025 të Organi Shqyrtues i Prokurimit mund ta gjeni KËTU .
