Auditori gjen vonesa dhe mangësi në zbatimin e kontratave publike në Ministrinë e Drejtësisë në vitin 2025

0%

Ministria e Drejtësisë ka shfaqur dobësi në respektimin e afateve gjatë zbatimit të kontratave publike, sigurimit të kontratës dhe aplikimit të penaliteteve për vonesa. Në raportin e auditimit të vitit 2025, Zyra Kombëtare e Auditimit ka nxjerrë në pah disa raste ku këto kushte nuk janë zbatuar plotësisht.

Sipas ZKA-së, operatorët ekonomikë janë të obliguar të realizojnë furnizimet, shërbimet apo punët brenda afateve të përcaktuara kontraktuale, ndërsa autoriteti kontraktues ka të drejtë dhe obligim të aplikojë penalitete në rast të vonesave.

Gjithashtu, Kushtet e Veçanta të kontratave përcaktojnë që furnizuesi duhet të dorëzojë sigurimin e kontratës në vlerë prej 10% të kontratës, me vlefshmëri 12 muaj nga data e nënshkrimit. Megjithatë, Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë auditimit ka evidentuar dobësi në zbatimin e këtyre kërkesave në tri kontrata të Ministrisë së Drejtësisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në tenderin“Rregullimi i dyshemeve me epox” në vlerë 65,450 euro, sipas ZKA-së, furnizimi nuk është realizuar plotësisht brenda afatit 30-ditor, ku për një shumë prej 1,920 euro është evidentuar vonesë prej 25 ditësh, ndërsa nuk janë aplikuar penalitetet e parapara.

Te kontrata “Furnizim me pajisje të sigurisë për SHKK” në vlerë 24,999 euro, është gjetur se sigurimi i kontratës nuk ka mbuluar plotësisht periudhën e kërkuar me kushtet e veçanta. Kurse te tenderi “Mirëmbajtja e ndërtesave”, në vlerë 11,950 euro, malli u dorëzua jashtë afatit kontraktual, ndërsa nuk ishin aplikuar penalitete në pagesë për vonesën në dorëzim.

Sipas auditimit, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së monitorimit të mjaftueshëm të zbatimit të kontratave dhe mosverifikimit të plotë të afateve të dorëzimit, vlefshmërisë së sigurimit të kontratës dhe aplikimit të penaliteteve para pranimit të mallrave dhe kryerjes së pagesave.

Këto praktika, sipas Auditorit ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin me kohë të furnizimeve dhe punëve të planifikuara, si dhe rrisin rrezikun që operatorët ekonomikë të mos respektojnë afatet e përcaktuara kontraktuale. Ministres ju rekomandua të sigurojë që para çdo pagese të verifikohet përmbushja e plotë e kushteve kontraktuale.

“Ministrja duhet të sigurojë që para çdo pagese të verifikohet nëse janë përmbushur plotësisht kushtet kontraktuale, përfshirë afatet e dorëzimit, vlefshmërinë e sigurimit të kontratës dhe aplikimin e penaliteteve. Pagesat duhet të realizohen vetëm pas konfirmimit të përmbushjes së plotë të kushteve ose trajtimit formal të devijimeve sipas kontratës.”- rekomandon ZKA.

Ministria e Drejtësisë është pajtuar me gjetjen e raportit. Për më tepër, nëpërmjet letër-konfimimit, e cila mban datën , e ka konfirmuar pranimin e draft-raportit për auditimin e pasqyrave financiare vjetore të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2025, dhe janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e raportit pa ndonjë koment shtesë për përmbajtjen e raportit.

Ministria e Drejtësisë ka marrë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore. Ky është opinioni më i mirë që ZKA e jep dhe i njëjti jepet kur pasqyrat financiare janë përgatitur në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Raporti i auditimit për vitin 2025 ka rezultuar me 6 rekomandime, prej tyre tri janë rekomandime të reja kurse tri janë të përsëritura.

Kurse në vitin paraprak, ZKA i ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë 7 rekomandime. Deri ne fund të auditimit të realizuar nga ZKA për vitin 2025, katër rekomandime janë zbatuar, tri rekomandime janë përsëritur. Ndryshe, Zyra Kombëtare e Auditimit ka njoftuar se për vitin 2025 ka kryer 133 auditime.

Po ashtu, në konferencë për media nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është njoftuar se 80 raste janë dërguar në prokurori gjatë vitit 2025. Raportin e plotë të auditimit për vitin 2025 të Ministrisë së Drejtësisë mund ta gjeni KËTU .

Burimi: Kallxo