Në Komunën e Podujevës është njoftuar mbyllja e përkohshme e një segmenti të rrugës “Bahri Fazliu”, si pasojë e punimeve që po realizohen në projektin e kolektorit të ujërave të zeza. Sipas njoftimit zyrtar, nga nesër për qarkullim do të mbyllet segmenti i rrugës “Bahri Fazliu” nga udhëkryqi te spitali deri te udhëkryqi i rrugës “Bajram Krasniqi”.
Në kuadër të ndryshimeve në qarkullim, është bërë e ditur se do të hapet për trafik segmenti i dytë i rrugës “19 Qershori”, nga degëzimi me rrugën “Nuhi Gashi” (mbrapa teatrit) deri te udhëkryqi i rrugës “Bahri Fazliu”. Po ashtu, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve gjatë periudhës së punimeve, rruga njëkahore “Nuhi Gashi” do të funksionojë përkohësisht si rrugë dykahore.
Komuna e Podujevës u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit dhe të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor deri në përfundimin e punimeve. / Telegrafi
