Rusia akuzon Evropën për zgjatjen e luftës në Ukrainë: Po bëhet kërcënim për paqen

0%

Shpërndaje në: Rusia ka akuzuar vendet evropiane se po paraqesin kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare për shkak të mbështetjes ushtarake që po i ofrojnë Ukrainës, ndërsa ka deklaruar se mbetet e gatshme për dialog me Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë të martën se Shtetet e Bashkuara nuk po veprojnë më si ndërmjetës të paanshëm në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Duke gjykuar nga veprimet e tyre, Shtetet e Bashkuara duket se po heqin dorë nga pretendimi për të qenë një ndërmjetës objektiv dhe po ndjekin një kurs të rritjes së presionit përmes sanksioneve ndaj Rusisë”, ka deklaruar Lavrovi gjatë një takimi me diplomatë të huaj në Moskë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërkohë, këshilltari i presidentit rus Vladimir Putin, Yuri Ushakov, tha se Moska është e gatshme për dialog me Bashkimin Evropian, por përsëriti qëndrimin e Kremlinit se është Evropa dhe jo Rusia ajo që po e zgjat luftën në Ukrainë.

Deklaratat vijnë në një kohë kur bisedimet e udhëhequra nga SHBA-ja për përfundimin e luftës kanë mbetur praktikisht të ngrira, ndërsa vëmendja e presidentit amerikan, Donald Trump, është përqendruar në zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Javën e kaluar, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, mbrojti vendimin e tij për të hapur një kanal diplomatik me Kremlinin për të vlerësuar nëse ekzistojnë kushtet për negociata paqeje. Megjithatë, sipas ekipit të tij, aktualisht nuk ka bazë të mjaftueshme për nisjen e një procesi të tillë.

Një nga kushtet kryesore të Rusisë për nisjen e bisedimeve të paqes mbetet tërheqja e forcave ukrainase nga rajoni lindor i Donbasit. Kievi ka refuzuar vazhdimisht këtë kërkesë, duke insistuar se nuk do të heqë dorë nga territoret që vazhdon t’i kontrollojë.

Burimi: Koha