Një alarm për bombë ka vënë në lëvizje Policinë në Prishtinë, pasi një person ende i panjohur ka raportuar se kishte vendosur mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve, mëson Gazeta Sinjali. Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar më 22 qershor, rreth orës , përmes linjës “Raporto Krimin”.
Burimet bëjnë të ditur se informata anonime ishte dhënë në gjuhën serbe, ku raportuesi kishte deklaruar se kishte vendosur një bombë te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë. Pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë evakuuar personat që ndodheshin brenda objektit dhe kanë siguruar perimetrin përreth stacionit.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe njësitet hetimore, Njësia për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese dhe Njësia K9, të cilat kanë kryer kontrollimin e objektit dhe hapësirës përreth. Gjatë kontrollit nuk është gjetur asnjë mjet i dyshuar apo mjet shpërthyes. Pas përfundimit të verifikimeve, Stacioni i Autobusëve është hapur për qytetarët dhe ka vazhduar funksionimin normal.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit rasti është iniciuar si “ Lajmërimi apo kallëzimi i rremë ”. Hetimet për identifikimin e personit të dyshuar janë në vazhdim. Alarm për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, policia evakuon zonën Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
