Lionel Messi u pa duke biseduar gjatë me Marcel Sabitzer pas fitores 2-0 të Argjentinës ndaj Austrisë, në një mbrëmje ku ylli argjentinas shkroi historinë e Kupës së Botës. Messi shënoi golin e tij të 17-të në Botëror në minutën e 38-të, duke kaluar Miroslav Klosen dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë në histori të kësaj gare.
Goditja e tij me të majtën nga brenda zonës përfundoi në cepin e poshtëm të portës, duke ndezur festën e tifozëve argjentinas në Dallas. Kapiteni i Argjentinës nuk u ndal me kaq. Në minutat shtesë të pjesës së dytë, ai realizoi edhe golin e dytë për rezultatin përfundimtar 2-0.
Tashmë, 38-vjeçari ka shënuar pesë gola në vetëm dy ndeshjet e para të këtij Botërori, pas het-trikut ndaj Algjerisë. Pas vërshëllimës së fundit, disa lojtarë të Austrisë iu afruan Messit për ta uruar për arritjen historike. Megjithatë, vëmendjen e mori biseda e tij me Marcel Sabitzerin. Mesfushori austriak iu afrua yllit argjentinas, ndërsa Messi bëri disa gjeste me dorë gjatë bisedës.
Sabitzer buzëqeshi, më pas tundi kokën, para se të dy lojtarët të ndaheshin. Nuk dihet saktësisht se çfarë u tha mes tyre, por në rrjetet sociale u përhap menjëherë teoria se Sabitzer po i kërkonte fanellën Messit pas ndeshjes historike. Prezantuesja e BBC, Gabby Logan, sugjeroi të njëjtën gjë gjatë transmetimit.
Megjithatë, Messi nuk dukej i gatshëm ta jepte fanellën, pasi u pa duke u kthyer drejt zhveshtores ende me të veshur. Tifozët në rrjetet sociale bënë shaka se ajo fanellë tashmë “vlen miliona”, pasi u përdor në ndeshjen ku ai theu rekordin e madh të Botërorit. Krahas rekordit të golave, Messi barazoi edhe një tjetër arritje të veçantë.
Ai ka shënuar tani në gjashtë ndeshje radhazi të Kupës së Botës, duke barazuar rekordin e mbajtur nga Just Fontaine i Francës dhe Jairzinho i Brazilit. Messi mund ta thyejë edhe këtë rekord në ndeshjen e fundit të grupit ndaj Jordanisë. Dhe nëse ka dikush që mund ta bëjë këtë, është pikërisht ai..
