Messi shkroi edhe një herë me gërma të arta emrin e tij në historinë e Botërorëve. Numri dhjetë i Argjentinës falë pesë golave të shënuar në këtë edicion është ngjitur në vendin e parë në listën e goleadorëve të kompeticionit duke marrë kështu edhe vlerësimin e gazetarëve, të cilët kanë ngritur në majën e Olimpit asin e tre herë kampionëve të botës.
E përditshmja argjentinase “Clarin” në titullin e saj krahasonte numrin dhjetë me një dirigjent orketsre: “Një simfoni e re nga Lionel Messi me një orkestër që e shoqëron atë në mënyrë të përsosur. Messi po bëhet gjithnjë e më shumë një legjendë. E pabesueshme! Një tjetër kapitull në librat e historisë për Messin, i cili në moshën gati 39 vjeçare luan dhe vrapon si një fëmijë”.
“La Nacion” e krahason Messi-n me një mbret: “Mbreti i Botës! Askush nuk mund ta ndalë mbretin. Kapiteni argjentinas po thyen të gjitha rekordet. Shpirti i tij luftarak është i pathyeshëm, talenti i tij nuk njeh limit, prandaj Messi gjithmonë gjen argumente për të sfiduar çdo kategorizim”. Në Angli “The Times” shrkuan: “Lionel Messi thyen rekordet”.
Ndërsa “Guardian” komenton: “Messi i pandalshëm thyen rekordin e golashënuesve në Kupën e Botës. Duhej të ishte Lionel Messi, duhej të ishte në këtë ditë, dhe ndoshta duhej të ishte edhe në Dallas. Një Këpucë e Artë e parë nuk do të ishte një dhuratë e keqe për një ikonë që mbush 39 vjeç të mërkurën”. Në Francë, “L’Equipe” komenton: “Një Messi historik siguron kualifikimin e Argjentinës.
Pak para ditëlindjes së tij të 39-të, Lionel Messi nuk kishte kohë për të humbur dhe kapiteni argjentinas e zgjidhi çështjen e rekordit të golave të Kupës së Botës brenda dy ndeshjeve”. Sipas “Le Figaro”: “Messi po i shtyn kufijtë. Sa larg do të shkojë?
Pas tregolëshit të tij mahnitës kundër Algjerisë, Lionel Messi e përforcoi statusin e tij legjendar në futboll me një dopietë kundër Austrisë”. Në Spanjë “AS” shkruan: “Messi, një legjendë midis legjendave, një mit midis miteve”. Për “Marca”-n: “Është përsëri ai. Numri 10 përsëri. Lionel Messi përsëri.
Ajo që arrin ky djalosh është e mahnitshme.” Në Austri “Der Standard” shkruan: “Në fund, Argjentina kishte një Lionel Messi më shumë. Kombëtarja austriake luftoi me trimëri, por edhe në një ditë joefikase, superylli argjentinas ishte i pandalshëm”.
