Transferimi i Mason Greenwood nga Olympique de Marseille te AS Roma është vënë seriozisht në pikëpyetje, pasi klubi italian po pret të shesë lojtarë për të siguruar fondet e nevojshme për blerjen e sulmuesit anglez.
Marseille kishte planifikuar të arkëtonte mes 50 dhe 55 milionë euro nga shitja e 24-vjeçarit, para paraqitjes së klubit para DNCG-së, organit që mbikëlqyr financat e futbollit francez. Megjithatë, negociatat aktualisht kanë ngecur.
Sipas mediave italiane, Roma duhet të gjenerojë rreth 50 milionë euro fitime nga shitjet e lojtarëve deri në fund të qershorit për të respektuar rregullat e Fair Play Financiar. Vetëm pas kësaj mund të finalizojë transferime të rëndësishme si ai i Greenwoodit.
Sulmuesi anglez thuhet se ka dhënë miratimin për kalimin në kryeqytetin italian dhe ka arritur marrëveshje paraprake për një kontratë me vlerë rreth 5 milionë euro në sezon, por mungesa e likuiditetit po pengon mbylljen e marrëveshjes. Në qendër të situatës ndodhet mesfushori francez Manu Koné, të cilin Roma po përpiqet ta shesë për të siguruar fondet.
Lojtari pëlqehet nga Arsenal dhe Chelsea FC, por preferenca e tij mbetet një transferim te Paris Saint-Germain, gjë që po ndërlikon gjithë procesin. Për momentin, Marseille nuk ka një alternativë konkrete për shitjen e Greenwoodit dhe shpreson që Roma të gjejë mënyrën për të mbuluar boshllëkun financiar. Deri atëherë, e ardhmja e sulmuesit anglez mbetet e paqartë.
