Britania planifikon t’i detyrojë rrjetet sociale t’u japin përparësi lajmeve të besueshme

0%

Shpërndaje në: Qeveria britanike po shqyrton mundësinë që t’i detyrojë kompanitë e rrjeteve sociale t’u japin përparësi lajmeve nga burime të besueshme, si pjesë e përpjekjeve për të luftuar dezinformimin online.

Ministria e Kulturës njoftoi të hënën se po vlerëson masa që do t’u kërkonin platformave si Facebook, YouTube dhe TikTok ta bëjnë më të lehtë gjetjen e përmbajtjeve nga mediat e shërbimit publik dhe ofrues të tjerë të lajmeve të verifikuara në rezultatet e kërkimit dhe në rrjedhën e përmbajtjeve që u shfaqen përdoruesve, raportoi të martën Reuters.

Në mesin e mediave që mund të përfitojnë nga këto ndryshime janë BBC-ja, ITV-ja dhe Channel 4. Nisma vjen vetëm një javë pasi qeveria britanike njoftoi ndalimin e përdorimit të shumicës së platformave sociale për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas të dhënave të rregullatorit mediatik Ofcom, rrjetet sociale janë shndërruar në një nga burimet kryesore të informimit për shumicën e të rriturve në Britani, si dhe për rreth tre të katërtat e të rinjve të moshës 16 deri në 24 vjeç. Një studim i vitit 2024 tregoi se katër në dhjetë britanikë kishin hasur dezinformata brenda një muaji, kryesisht në internet.

Ministrja e Kulturës, Lisa Nandy, tha se është thelbësore që qytetarët të kenë qasje më të mirë në lajme të sakta dhe të besueshme. “Duhet të sigurohemi që njerëzit të kenë qasje më të mirë në lajme të besueshme dhe të sakta, në mënyrë që mediat tona të rregulluara të luajnë një rol më të madh në betejën kundër keqinformimit dhe dezinformimit”, deklaroi ajo.

Qeveria argumenton se rritja e dukshmërisë së mediave të rregulluara mund të ndihmojë në luftimin e lajmeve të rreme, veçanërisht gjatë situatave të krizës. Ministrat po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e zgjerimit të statusit të medias publike edhe për ofruesit që operojnë vetëm online, si dhe kalimin gradual drejt një sistemi televiziv të bazuar në internet pas vitit 2034 ose 2044.

Burimi: Koha