Anglia mori një goditje të madhe para ndeshjes së parë me Kroacinë në Botëror. Kjo pasi që mbrojtësi i Njukasëllit, Tino Livramento ka pësuar një lëndim të ri në pulpë. “Tri Luanët” do të luajnë kundër kroatëve, sfidë që zhvillohet mbrëmjen e sotme, në Arlington. Dëmtimi para debutimit Futbollisti që mbulon të dy krahët e repartit defensiv shihej si një alternativë e dobishme për teknikun gjerman dhe ishte kandidat për të shënuar paraqitjen e tij të parë në një kompeticion të madh ndërkombëtar. Sezoni i fundit ka qenë i vështirë për 23- vjeçarin, i cili është përballur vazhdimisht me probleme fizike. Në edicionin 2025/26 ai arriti të luajë vetëm 17 ndeshje në Premier Ligë, për shkak të një serie dëmtimesh. Gjatë vitit të kaluar, ai pësoi dy dëmtime në gju që e mbajtën larg fushës për dy muaj. Më pas, në janar, një problem në muskujt e pasmë të kofshës bëri që të humbiste 15 ndeshje, ndërsa një tjetër dëmtim në kofshë në muajin prill ia mbylli para kohe sezonin me Njukasëll. Tashmë, pasi është konfirmuar dëmtimi i fundit, Livramento do të kthehet te klubi i tij për të nisur fazën e rikuperimit. Në bazë të rregullave të FIFA-s, Anglia mund ta zëvendësojë lojtarin me një futbollist nga lista paraprake me 55 emra, të dorëzuar para se grupi përfundimtar të ngushtohej në 26. Federata angleze ka vendosur ta kryejë shpejt ndryshimin brenda afatit të vendosur nga FIFA (24 orë para ndeshjes së pare) dhe Tuhel vendosi për një mbrojtës si Trevor Çalobah i Çelsit. Ai ishte në listën stand-by të “Tre Luanëve” ku do të ketë tashmë mundësinë të provojë veten në Botëror. Bukajo Saka, gati Bukajo Saka deklaroi se është i gatshëm të rrezikojë me gjendjen e tij fizike dhe dëshiron të luajë në ndeshjen hapëse të Anglisë kundër Kroacisë në Kupën e Botës 2026. “Falë stafit mjekësor ndihem gati dhe në formë për ndeshjen hapëse kundër Kroacisë. Jemi gati për një betejë sportive! Mezi po pres të zbres në fushë. Por I takon Tuhelit të marrë vendimin nëse do të aktivizohem, apo jo”. Për shkak të një dëmtimi të gjatë në tendinën e Akilit, trajneri anglez ishte shprehur skeptik nëse ai mund të luante 90 minuta të plota. Në konferencën e fundit për shtyp, Saka bëri disa deklarata kyçe, teksa pranoi se do të shtyjë limitet e trupit të tij, sepse dëshiron të sakrifikojë gjithçka për të ndihmuar skuadrën të shpallet kampione bote. Saka tregoi entuziazëm për epokën e re nën drejtimin e gjermanit Tuhel, duke thënë: “Tomas është një trajner i nivelit të lartë. Por i gjithë grupi i lojtarëve është në humor të shkëlqyer dhe mezi po presin ndeshjen e pare”. Për më tepër, Saka deklaroi se shpallja kampion me Arsenal u jep lojtarëve të mbledhur te Anglia një “liri dhe besim” më të madh, pse jo, për ta fituar këtë Botëror.
