Grabitësit e pronave – “maskotat” e paprekshme të shtetit të Kosovës

0%

Njëzeteshtatë vjet pas përfundimit të luftës dhe tetëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova vazhdon të përballet me një paradoks të madh: ka Kushtetutë moderne, ka ligje, ka vendime gjyqësore të formës së prerë, por vazhdon të ketë vështirësi serioze në zbatimin e tyre.

Nëse demokracia matet me zgjedhje të lira, shteti ligjor matet me aftësinë për të mbrojtur qytetarin e zakonshëm dhe pronën e tij. Pikërisht këtu vazhdon të qëndrojë një nga dobësitë më të mëdha të Republikës së Kosovës. Prona private – themeli i demokracisë Prona private nuk është privilegj.

Ajo është një e drejtë themelore e njeriut, e mbrojtur nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, për shumë qytetarë, problemi nuk ka qenë mungesa e dokumentacionit, mungesa e certifikatave të pronësisë apo mungesa e vendimeve gjyqësore. Problemi ka filluar pikërisht aty ku duhej të përfundonte: te ekzekutimi i tyre.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një shtet nuk matet me numrin e ligjeve që miraton, por me aftësinë për t’i zbatuar ato. Sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Një plagë e trashëguar nga lufta Kosova trashëgoi pas luftës një realitet të rëndë: uzurpime të pronave, mungesë dokumentacioni, ndërtime pa leje, privatizime të diskutueshme dhe një administratë të dobësuar nga tranzicioni.

Por një dimension i veçantë i kësaj plage vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Në vitin 1999, Serbia largoi nga Kosova një pjesë të konsiderueshme të dokumentacionit kadastral origjinal. Në kuadër të dialogut të Brukselit u arritën marrëveshje për vënien në dispozicion të kopjeve të dokumenteve, ndërsa Bashkimi Evropian investoi miliona euro për procesin e digjitalizimit dhe verifikimit.

Megjithatë, edhe pas më shumë se një dekade, dokumentet origjinale nuk janë kthyer, ndërsa procesi i dorëzimit të plotë të kopjeve mbetet i papërfunduar. Vetë kryeministri Albin Kurti ka deklaruar publikisht se Serbia nuk i ka përmbushur obligimet e saj në këtë drejtim. Kjo ka prodhuar pasiguri juridike dhe ka vështirësuar zgjidhjen e shumë kontesteve pronësore.

Shteti nuk mund të jetë spektator Paradoksi më i madh është se në shumë raste qytetarët nuk kanë nevojë për ligje të reja, por për zbatimin e ligjeve ekzistuese. Nëse një vendim gjyqësor i formës së prerë nuk ekzekutohet, atëherë problemi nuk është juridik, por institucional.

Nëse një certifikatë pronësie e lëshuar nga vetë shteti nuk garanton ushtrimin e së drejtës së pronësisë, atëherë dëmtohet vetë besimi në shtet. Nëse uzurpuesi fiton kohë, ndërsa pronari i ligjshëm humbet vite e dekada nëpër institucione, atëherë krijohet një mesazh i rrezikshëm për shoqërinë: Se shkelja shpërblehet, ndërsa respektimi i ligjit ndëshkohet.

Drejtësia tranzicionale ende nuk ka përfunduar Kosova nuk e ka përmbyllur ende procesin e drejtësisë tranzicionale. Vrasjet politike të pasluftës, uzurpimet, proceset e dyshimta të privatizimit, zhdukja e dokumentacionit, ndërtimet pa leje, ekonomia informale dhe kultura e pandëshkueshmërisë vazhdojnë të kërkojnë përgjigje. Shoqëritë demokratike nuk ndërtohen mbi heshtjen.

E vërteta dhe drejtësia nuk janë hakmarrje; ato janë kusht për pajtim dhe për besim te institucionet. Kujtesa historike nuk mund të lihet në harresë Ndërkohë, një pjesë e trashëgimisë materiale të luftës çlirimtare vazhdon të mbetet jashtë kujdesit institucional. Një shtet serioz nuk ruan vetëm territorin dhe kufijtë e tij. Ai ruan kujtesën e vet historike.

Sepse historia nuk mbrohet me retorikë, por me arkiva, muze, dokumente dhe kulturë institucionale. Republika nuk rrezikohet nga mungesa e patriotizmit Kosova nuk ka mungesë patriotizmi. Ajo ka mungesë të zbatimit konsekuent të ligjit. Republika nuk dobësohet vetëm nga kundërshtarët e jashtëm.

Ajo dobësohet edhe nga paaftësia për të mbrojtur qytetarin e vet, për të zbatuar vendimet e veta dhe për të garantuar atë që Kushtetuta dhe ligjet tashmë e kanë njohur. Në fund të fundit, problemi më i madh i Kosovës nuk është mungesa e ligjeve. Problemi më i madh është mungesa e shtetit që i zbaton ato.

Dhe derisa kjo të ndryshojë, grabitësit e pronave, uzurpuesit dhe përfituesit e kaosit institucional do të vazhdojnë të mbeten, në mënyrë paradoksale, “maskotat” më jetëgjata të një shteti që ende po përpiqet të bëhet plotësisht shtet ligjor.

Burimi: Bota Sot