Forcat amerikane kanë burime për të mbajtur bllokadën detare ndaj porteve iraniane për aq kohë sa të jetë e nevojshme, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, më 13 gusht, teksa Uashingtoni dhe Teherani po përplasen mbi kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.
“Marina e Shteteve të Bashkuara mund ta mbajë bllokadën për një kohë të pacaktuar”, tha Hegseth për gazetarët, pasi iu drejtua ekuipazhit të aeroplanmbajtësit USS Gridleygjatë stërvitjeve ushtarake shumëkombëshe, PANAMAX 2026, në Panama. Aeroplanmbajtësi Gridley ishte dislokuar më herët në Lindjen e Mesme.
Hegseth shtoi se SHBA-ja mund ta vazhdojë bllokadën, pasi janë në gjendje “të zëvendësojnë anijet që hyjnë dhe dalin” nga zona dhe të vazhdojë dislokimin e ri të forcave, sipas nevojës. Komentet e tij erdhën pasi Uashingtoni dhe Teherani u përplasën lidhur me atë se kush e ka kontrollin e plotë mbi Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore kyç.
Para se të niste lufta mes SHBA-së dhe Iranit në fund të shkurtit, nëpër këtë ngushticë kalonte rreth një të pestën e furnizimeve globale me naftë dhe gaz. Presidenti amerikan, Donald Trump, insiston se SHBA-ja e kontrollon ngushticën.
Por, zyrtarët ushtarakë iranianë e hodhën poshtë këtë pretendim, duke pretenduar se Teherani vazhdon ta ketë kontrollin mbi rrugën ujore dhe vazhdon të menaxhojë trafikun nëpër ngushticë.
