Shpeshherë më ndodh t’i rikthehem me mall viteve të fëmijërisë sime, atyre viteve që lidhen ngushtësisht me Sarandën. Është qyteti që ka lënë gjurmë të thella në kujtesën time, duke mbetur edhe sot një pjesë e pandarë e botës sime shpirtërore dhe e vetëdijes sime.
Sa herë që kujtesa më zgjon imazhe të atyre viteve, para syve më shfaqen rrugët e qeta të qytetit, shëtitorja buzë detit, zërat e njerëzve që njihnin njëri-tjetrin, aromat e jodit të detit dhe të limonëve, si dhe ai ritëm i ngadaltë e njerëzor i jetës që sot duket sikur i përket një kohe tjetër.
Këtë ngasje pata edhe në çastin kur pashë këtë foto të rrallë me pamje të qendrës së qytetit në muzgun e mbrëmjes, që i përket fundit të viteve ’70. Dielli po zhytej ngadalë drejt perëndimit, duke lënë pas vetes një dritë të butë e të artë, që përhapej mbi det, mbi çatitë e shtëpive dhe mbi fasadat e ndërtesave.
Ishte një nga ato çaste kur koha duket sikur ndalet për pak dhe gjithçka vishet me një qetësi të rrallë. Çuditërisht, në atë muzg të heshtur, Saranda më shfaqet jo si qyteti i sotëm, por si qyteti i dikurshëm i kujtimeve të mia. Ajo dukej e mbështjellë me një aureolë magjike, një dritë e padukshme që rrallëherë e gjen te qytetet e vogla bregdetare.
Më duket edhe tani sikur mes ngjyrave të mbrëmjes, detit dhe qiellit zgjohet një botë e tërë kujtimesh: fytyra njerëzish, vende që nuk ekzistojnë më, biseda të harruara, zhurma fëmijësh nëpër rrugë dhe emocionet e para të një moshe që largohet, por nuk shuhet kurrë nga kujtesa. Ndoshta sepse qytetet nuk jetojnë vetëm në hapësirën që shohim, por edhe në kohën që mbartim brenda vetes.
Dhe Saranda jonë e atyre viteve vazhdon të jetojë pikërisht aty, në atë cep të kujtesës ku vitet nuk plaken, ku njerëzit mbeten të rinj dhe ku çdo perëndim dielli rikthen diçka nga magjia e një kohe që nuk kthehet më. Atmosfera kinematike e qytetit të Sarandës në vitet ’70 ishte një ndër elementët më të gjallë të jetës kulturore dhe shoqërore të qytetit.
Në atë periudhë, kinemaja nuk ishte thjesht një formë argëtimi, por një institucion i rëndësishëm edukimi, socializimi dhe komunikimi publik. Në vitet ’70, Saranda ishte ende një qytet relativisht i vogël (me rreth 14.000–15.000 banorë), por me një ritëm të veçantë jetese, të ndikuar nga deti, porti dhe turizmi i kufizuar i kohës.
Mbrëmjet e verës mbusheshin me shëtitje në shëtitore dhe me vajtje në kinema apo në shfaqje variete, të cilat ishin qendra kryesore të kreativitetit argëtues dhe jetës sociale. Shfaqja e një filmi të ri konsiderohej ngjarje. Njerëzit informoheshin paraprakisht për repertorin, ndërsa të rinjtë, familjet dhe punëtorët organizonin kohën për të ndjekur filmat e rinj shqiptarë apo të huaj.
Para hyrjes së kinemasë krijoheshin grupe njerëzish që diskutonin filmat e fundit, aktorët dhe temat që trajtoheshin. Më kujtohet shumë mirë teta Leni, administratorja dhe njëkohësisht portierja e kinemasë së qytetit. Ishte një grua e moshës së mesme me pamje serioze, por me një fisnikëri që i lexohej në sjellje e në vështrim.
Gjithmonë e veshur me të zeza, elegante dhe plot dinjitet, ajo të impononte respekt që në çastin e parë. Megjithatë, pas asaj pamjeje disi të rreptë fshihej një zemër e madhe dhe e ndjeshme. Për ne, fëmijët e jetimores, teta Leni ishte diçka më shumë se një punonjëse e kinemasë.
Me një mirësi që nuk e shfaqte kurrë me fjalë, ajo dinte t’i “thyente” herë pas here rregullat, duke na futur fshehurazi në sallën e kinemasë pa bileta. Për ne ishte një gjest i vogël në dukje, por që mbartte një lumturi të jashtëzakonshme. Falë saj, ne bëheshim pjesë e asaj bote magjike të filmit, duke harruar për pak çaste mungesat dhe vështirësitë e jetës sonë.
Sot, kur e sjell ndër mend figurën e saj, më duket sikur ajo mishëron një brez njerëzish të thjeshtë, që pa zhurmë e pa bujë dinin të bënin mirësi të vogla, por që mbeteshin të mëdha në kujtesën e atyre që i përjetonin. Një nga kujtimet më të bukura të atyre viteve lidhet me kinematë verore.
Në netët e ngrohta të bregdetit jonian, shikimi i filmit nën qiellin e hapur krijonte një atmosferë magjike. Era e lehtë e detit, zhurma e dallgëve në sfond dhe ekrani i madh i ndriçuar përbënin një përvojë të veçantë që ka mbetur gjatë në kujtesën e banorëve.
Publiku sarandiot ndiqte me interes prodhimet e ish-“Kinostudios Shqipëria e Re”, ku spikasnin filmat me tematika historike, partizane dhe sociale.
Në atë kohë, aktorët si Sandër Prosi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka, Ndrek Luca, Tinka Kurti, Stavri Shkurti, Rikard Ljarja, Thimi Filipi, Agim Qirjaqi, Timo Flloko etj., gëzonin popullaritet të gjerë te artdashësit e kinemasë. Po ashtu, shfaqeshin edhe filma të përzgjedhur nga vende të tjera socialiste, të cilët zgjonin kureshtje të madhe te publiku.
Kinemaja shërbente si vend ku takoheshin breza të ndryshëm. Për të rinjtë ishte një hapësirë ëndrrash dhe emocionesh; për familjet, një mënyrë për të kaluar mbrëmjen së bashku; për qytetin, një pikë referimi kulturore.
Rreth godinës së kinemasë ndjehej një gjallëri e veçantë: posterat e filmave në vitrina, dritat e mbrëmjes, zërat e njerëzve që hynin e dilnin nga seancat dhe diskutimet e gjata pas përfundimit të filmit. Në një kohë kur televizioni kishte shtrirje të kufizuar dhe mundësitë e argëtimit ishin të pakta, kinemaja kishte një peshë shumë më të madhe sesa ka sot.
Në kujtesën e shumë sarandiotëve, vitet ’70 mbeten një periudhë kur kinemaja ishte pjesë e pandarë e identitetit kulturor të qytetit, duke krijuar një atmosferë romantike, kolektive dhe të paharrueshme që shoqëronte jetën pranë detit Jon. Sot, shumëçka ka ndryshuar. Qyteti është zgjeruar, ritmi i jetës është bërë më i vrullshëm dhe koha ka lënë gjurmët e saj mbi njerëzit dhe vendet.
Por, për secilin nga ne, sa herë që një fotografi e vjetër, një melodi e largët apo një kujtim i papritur hap portat e së shkuarës, Saranda e atyre viteve rikthehet e gjallë në mendjen tonë. Ajo vjen me dritat e zbehta të mbrëmjes mbi gjirin e detit, me zërat e njerëzve që sot nuk janë më, me ëndrrat e një brezi që mësoi të gëzohej edhe me gjërat më të vogla.
Atëherë kupton se ky qytet nuk është thjesht një hapësirë në hartë, por një “atdhe i shpirtit”, ku zemra kthehet gjithmonë për të kërkuar copëzat më të bukura të jetës së saj.
Ndoshta për këtë arsye, Saranda e viteve të rinisë sonë nuk jeton vetëm në fotografi apo në rrëfimet e së shkuarës, por vazhdon të jetë brenda nesh, në kujtesë, në mall dhe në dashurinë që koha nuk arrin ta zbehë kurrë.
