Refuzohen ankesat e dy kandidatëve të PDK-së për rinumërim të votave brenda partisë

0%

Nga: Rrezon Gashi Shpërndaje në: Janë hedhur poshtë kërkesat e kandidatëve Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu që vijnë nga Partia Demokratike, për rinumërim të të gjitha votave për deputet brenda subjektit të tyre.

Në vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa thuhet se rinumërimi i 7.41% nuk ka nxjerr dallime të mëdha që do ta bënin të domosdoshëm rinumërimin e plotë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka refuzuar ankesat e kandidatëve të Partisë Demokratike, Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu, lidhur me procesin e rinumërimit të votave.

Të dy, në ankesa të ndara, kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave për kandidatë të PDK-së. Kryeziu ka pretenduar që në 185 kutitë e rinumëruara është gjetur se gjatë numërimit fillestar është dëmtuar për afro 600 vota. Mirëpo, sipas PZAP-it, gabimet gjatë numërimit fillestar kanë qenë në favor të tij.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Sipas të dhënave zyrtare të krahasimit ndërmjet numërimit në QKN dhe rinumërimit në QNR, votat e kandidatit me numër 103, Qëndrim Kryeziu, kanë ndryshuar vetëm në dy vendvotime. Në total, kandidati ka dy vota më pak pas rinumërimit dhe jo 589 vota më shumë. Pretendimi për 589 vota nuk përputhet me të dhënat zyrtare të publikuara nga KQZ-ja”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

E kandidati Bekim Haxhiu, që është i 23-ti për kah votat në PDK, nga 22 që kanë fituar mandat, ka pretenduar se meqë dallimi me Rrustem Mustafën, i cili është zgjedhur deputet, është 102 vota dhe rinumërimi i 7.41% e vendvotimeve ia ka kthyer 6 vota, një rinumërim i plotë do të mund ta ndryshonte renditjen dhe përbërjen e kuvendit. Por, PZAP-i devijimet i ka konsideruar minimale.

“Në rastin konkret, nga shkresat e lëndës rezulton se pas rinumërimit të 185 vendvotimeve janë evidentuar ndryshime në rezultatet e kandidatëve në të dy drejtimet, ku një numër kandidatësh minimalisht kanë fituar vota, ndërsa kandidatë të tjerë po ashtu në mënyrë minimale kanë humbur disa vota.

Këto ndryshime nuk janë pasqyrim i një modeli të përgjithshëm ose sistematik të pasaktësive, por dëshmojnë se korrigjimet e evidentuara kanë qenë të shpërndara dhe nuk kanë prodhuar efekt të tillë që do të vinte në dyshim integritetin e përgjithshëm të procesit”, thuhet në vendimin e PZAP-së lidhur me ankesën e Haxhiut.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se janë njoftuar me vendimet e PZAPI-sët dhe ka theksuar se KQZ-ja do të presë që vendimet të marrin formën e prerë. “Pas plotfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, ka deklaruar Elezi.

Pas keqpërdorimeve të konstatuara në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, KQZ-ja në rregulloren për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka vendosur një pikë që ia mundëson rinumërimin deri në 10% të vendvotimeve si masë kontrolli. Procesi ka nisur të enjten dhe është kryer të premten. KQZ-ja nuk i ka publikuar gjetjet nga rinumërimi, ashtu siç ka bërë në zgjedhjet e kaluara.

Të dielën në mesditë ka përfunduar afati për ankesa lidhur me procesin e rinumërimit. Tash, nëse palët nuk i ankimojnë këto vendime në Gjykatën Supreme, për çka kanë kohë 48 orë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i hapet rruga për shpallje të rezultatit përfundimtar.

Burimi: Koha