Shpërndaje në: Përfaqësuesja e Gjermanisë do të jetë pa mbrojtësin e Borussia Dortmundit, Nico Schlotterbeck, për pjesën e mbetur të Botërorit. Schlotterbeck u lëndua të shtunën në fitoren 2:1 të Gjermanisë ndaj Bregut të Fildishtë. Ai ishte starutues por u detyrua të zëvendësohej në pjesën e dytë. Klubi i Dortmundit e ka konfirmuar lëndimin e qendërmbrojtësit.
Në njoftim shkruan se 26-vjeçari ka pësuar lëndim në kyçin e këmbës së majtë. “Nico Schlotterbeck ka pësuar një dëmtim të ligamentit të brendshëm në kyçin e këmbës së majtë gjatë ndeshjes së Gjermanisë ndaj Bregut të Fildishtë. Si pasojë e këtij lëndimi ai do të jetë jashtë fushave për disa muaj dhe nuk do të mund të ndihmojë as Gjermaninë por as Dortmundin.
I urojmë rikuperim të shpejtë dhe kthim sa më të fortë në fushë”, shkruan në njoftim. Ka reaguar edhe selektori i Gjermanisë, Julian Nagelsmann. Ai tha se për Gjermaninë është mungesë e madhe lëndimi i Schlotterbeckut. “Schlotti do të mungojë shumë në fushë si një mbrojtës i jashtëzakonshëm, veçanërisht për lojën e tij të shkëlqyer në ndërtimin e aksioneve.
Ky mund të kishte qenë Kampionati Botëror i tij. Dje të gjithë u përpoqëm t’ia ngrinim moralin dhe fatmirësisht ai është person shumë pozitiv dhe tashmë po shikon përpara”, u shpreh ish-trajneri i Bayern Munchenit. Schlotterbeck ishte startues edhe në fitoren 7:1 ndaj Kuraçaos.
