Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka reaguar ndaj lajmeve të rreme që qarkulluan së fundmi për familjen e Lionel Messi, duke theksuar se skuadra qëndron e bashkuar rreth kapitenit të saj në prag të ndeshjes së rëndësishme kundër Austrisë në Kupën e Botës.
Përgatitjet e Argjentinës u trazuan pasi në disa media u publikua gabimisht lajmi se Jorge Messi, babai i Lionel Messit, kishte ndërruar jetë. Informacioni i pasaktë u përhap me shpejtësi dhe shkaktoi reagime të shumta në Argjentinë. Më vonë, familja Messi sqaroi se Jorge Messi është duke marrë trajtim mjekësor dhe se gjendja e tij po përmirësohet.
Duke folur para sfidës me Austrinë, Scaloni refuzoi të zgjerohej mbi polemikat dhe u fokusua te rëndësia e unitetit brenda grupit. “ Jemi mirë dhe jemi gati për ndeshjen e nesërme. Besojmë fuqishëm se grupi është ai që i kapërcen momentet e mira dhe të vështira. Gjithmonë është më mirë kur je pranë miqve dhe kjo është ajo që ndiejmë të gjithë.
Nuk dua të shtoj asgjë më shumë për këtë çështje, sepse jemi të përqendruar te ndeshja”, deklaroi ai. Skandali mori përmasa më të mëdha pasi prezantuesja Florencia Peña raportoi gabimisht lajmin gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë. Më pas ajo dha dorëheqjen, duke pretenduar se informacioni i gabuar i ishte përcjellë nga ekipi i produksionit.
Sipas raportimeve, kompania mediatike mori masa të menjëhershme, ndërsa disa anëtarë të stafit u larguan nga puna pas incidentit. Ndërkohë, Argjentina kërkon të vazhdojë formën e mirë pas fitores 3-0 ndaj Algjerisë, ku Messi realizoi një “hat-trick”. Kampionët e botës do të përballen me Austrinë në një ndeshje që mund t’u sigurojë kualifikimin në fazën eliminatore.
Scaloni paralajmëroi se Austria do të jetë një kundërshtar i vështirë. “Austria ka lojtarë shumë cilësorë, ushtron presion të madh dhe është një skuadër e organizuar. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe shumë e komplikua r”, përfundoi trajneri argjentinas.
