Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Një studim i ri sugjeron se barnat për humbje peshe si Ozempic, Wegovy, Mounjaro dhe Zepbound mund të ulin ndjeshëm rrezikun e disa llojeve të kancerit që lidhen me mbipeshën, ka shkruar MedicalNewsToday. Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 229 mijë personave obezë pa diabet dhe zbuluan se ata që përdornin barna të grupit GLP-1 kishin 41 për qind më pak rrezik për të zhvilluar kancere të lidhura me obezitetin, krahasuar me ata që kishin marrë vetëm këshillim për dietë dhe aktivitet fizik. Studiuesit, me obezitet i kanë lidhur 13 lloje të kancerit si: atë të gjirit, të zorrës së trashë që njihet si kolorektal, endometrial apo i mitrës, ezofagal, të fshikëzës së tëmthit, veshkave, mëlçisë, meningioma (tip i tumort të trurit), mieloma multiple (tip i kancerit të palcës së eshtrave), të vezoreve apo ovarian, pankreasit, stomakut si dhe atë të gjëndrës tiroide. Rezultatet më mbresëlënëse u panë te disa lloje specifike të kancerit. Rreziku për kancer të mitrës (endometrial) ishte 58 për qind më i ulët, ndërsa ulje prej 50 për qind ose më shumë u vërejtën edhe për mielomën multiple, kancerin e pankreasit dhe kancerin e zorrës së trashë. “Një ulje prej 41 për qind në më shumë se 229 mijë pacientë nuk është një sinjal i vogël. Kjo është një shifër që, në çdo kontekst tjetër, tashmë do të ndikonte në udhëzimet klinike”, ka thënë drejtoresha e studimit, doktoresha Aparna Kamat. Ajo ka theksuar se rezultatet janë premtuese sidomos për kancerin e mitrës. “Një ulje prej 58 për qind është e jashtëzakonshme. Nëse kjo konfirmohet nga studime të tjera, do të ndryshojë mënyrën se si e kuptojmë këtë sëmundje”, ka thënë ajo. Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se ende nuk mund të thuhet se këto barna parandalojnë kancerin. “Ne nuk jemi gati të themi se këto ilaçe parandalojnë kancerin, sepse studimi ynë nuk mund ta provojë këtë. Por jemi gati të themi se ky zbulim kërkon një përgjigje serioze”, ka thënë Kamat. Ekspertët besojnë se përfitimi mund të vijë jo vetëm nga humbja e peshës, por edhe nga ulja e inflamacionit në organizëm, përmirësimi i ndjeshmërisë ndaj insulinës dhe faktorë të tjerë biologjikë. Megjithatë, sipas mjekëve, nevojiten studime më afatgjata për të konfirmuar nëse këto barna mund të përdoren në të ardhmen edhe për uljen e rrezikut të kancerit.
Studimi: Barnat për humbje peshe lidhen me rrezik më të ulët të disa llojeve të kancerit

Burimi:
Koha