ZKA: Komuna e Ferizajt pagoi rreth 1.7 milion euro si pasojë e vendimeve gjyqësore

0%

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një sërë parregullsish në Komunën e Ferizajt për vitin 2025, me ç’rast i ka dhënë 19 rekomandime për përmirësime gjatë vitit 2026. Prej këtyre 19 rekomandimeve, siç njofton ZKA, vetëm tetë janë të reja.

Njëra nga gjetjet e ZKA-së është që kjo komunë, pagesat në shumën totale prej 7 milionë e 970 mijë e 67 euro i kishte klasifikuar në kategori jo të duhura ekonomike.

Sipas ZKA-së, për shpenzime që i takojnë kategorisë së pagave dhe mëditjeve, e që kanë të bëjnë pagesat për Kontratën Kolektive të punonjësve të arsimit, janë paguar 4 milionë e 548 mijë e 263 euro nga buxheti i kategorisë së investimeve kapitale, 2milionë e 222 mijë e 935 euro nga buxheti i mallrave dhe shërbimeve, dhe 765 mijë e 912 euro nga buxheti i subvencioneve dhe transfereve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për shpenzime që i takojnë kategorisë së mallrave dhe shërbimeve, janë paguar 53 mijë e 167 euro nga buxheti i investimeve kapitale dhe 34 mijë e 93 euro nga subvencionet dhe transfere. Sa i përket shpenzimeve që i takojnë kategorisë së subvencioneve, rezulton se janë paguar 123 mijë e 856 euro nga buxheti i mallrave dhe shërbimeve.

E për shpenzime që i takojnë investimeve kapitale, janë paguar 160 mijë e 100 euro nga buxheti i mallrave dhe shërbimeve dhe 61 mijë e 738 euro nga buxheti i subvencioneve dhe transfereve. Raporti tregon se Komuna e Ferizajt nuk i kishte raportuar detyrimet e papaguara për paga të punonjësve që ishin të përfshirë në listën e pagave. Kjo shumë shkonte në 105 mijë e 963 euro.

Këtyre punonjësve nuk iu kishin kthyer pagat në mënyrë retroaktive për periudhën para përfshirjes në listë. 11 punonjës të tjerë, deri në fund të vitit 2025, nuk ishin regjistruar fare në listën e pagave edhe pse ishin pranuar përmes procedurave të rregullta të rekrutimit. Komuna nuk i kishte raportuar detyrimet ndaj tyre në vlerë prej 21 mijë e 271 euro.

Kjo, sipas ZKA-së ka ndodhur pasi që Drejtoria e Arsimit nuk kishte hartuar një listë të punonjësve të cilëve nuk u janë paguar pagat si dhe për shkak të mungesës së raportimit të tyre në Drejtorinë e Financave. Në këtë raport, flitet edhe për gjashtë kontrata me vlerë mbi 500 mijë euro, për të cilat nuk ishte bërë njoftimi paraprak, ashtu siç kërkohet me rregullat e prokurimit.

ZKA ka raportuar se njoftimi paraprak kishte munguar për kontratat: Ritenderimi për Ndërtimin e Qendrës Multifunksionale në Ferizaj në vlerë 3 milionë e 298 mijë e 901 euro; Rikonstruktimi i rrugës Ferizaj–Pleshinë në vlerë 2 milionë e 899 mijë e 185 euro; Asfaltimi i rrugës Tërrn–Kosinë–Ferizaj në vlerë 2 milionë e 442 mijë e 542 euro; Asfaltimi i rrugës kryesore në Zllatar dhe trotuari deri te shkolla (Aksi 1, L=2915) në vlerë 2 milionë e 334 mijë e 700 euro; Asfaltimi i rrugëve Fshati i Vjetër–Komogllavë–Ferizaj në vlerë 1 milion e 549 mijë e 972 euro si dhe për kontratën asfaltimi i rrugës kryesore Zllatar dhe trotuari deri te shkolla (Aksi Rahovicë–Zllatar) në vlerë 929 mijë e 296 euro.

Kjo komunë, gjatë vitit 2025 kishte hyrë në obligime kontraktuale në tri raste, pa siguruar fonde të mjaftueshme financiare, sipas ZKA-së kjo është në kundërshtim me ligjin për ndarjet buxhetore.

Për projektin e rikonstruktimit të rrugës Ferizaj-Pleshinë, në vlerë prej 2 milionë e 899 mijë e 185 euro, Ministria e Infrastrukturës kishte financuar me 2 milionë euro këtë projekt, kurse komuna me 900 mijë. Komuna buxhet kishte vetëm 90 mijë euro, me ç’rast sipas ZKA-së, ka hyrë në obligime pa mbulim buxhetor për shumën 809 mijë e 185 euro.

Ngjashëm, për projektin e asfaltimit të rrugëve Fshati i Vjetër, Komogllavë-Ferizaj, në vlerë totale prej 1 milion e 549 mijë e 972 euro, Ministria e Infrastrukturës kishte ndarë 1.3 milionë euro. Komuna ka nënshkruar kontratë pa pas mbulim buxhetor në shumën prej 249 mijë e 972 euro.

Për rikontruktimin e rrugës Bedri Asllani, projekt në vlerë prej 277 mijë e 974 euro, Komuna kishte buxhet në vlerë prej 200 mijë euro kurse pa mbulim buxhetor kishte obligimin prej 77 mijë e 974 euro.

ZKA po ashtu ka gjetur se kjo komunë, kishte lidhur kontrata për projektet: Rikonstruktimi i rrugës Varosh–Gërlicë, në vlerë 1 milion e 849 mijë e 187euro; asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc, në vlerë 513 mijë 280 euro; rikonstruktimi i rrugës Bedri Asllani, në vlerë 277 mijë e 974 euro dhe asfaltimi i rrugëve në Rahovicë dhe Talinoc të Muhaxherëve, në vlerë 249 mijë e 150 euro, pa pasur të hartuar paraprakisht projektin ekzekutiv.

Gjetje tjetër e ZKA-së ishte pagesa e punimeve të cilat nuk kishin përfunduar. “Nga inspektimet fizike të kryera në terren për projektet kapitale është konstatuar se, në kuadër të kontratës ‘Ndërtimi i shkollës së mesme në Ferizaj’ me vlerë 1,803,726€, si dhe aneks kontratës për punë shtesë në vlerë 104,340€, është realizuar një pagesë në shumën 19,999€ për punime dhe furnizime që lidhen me sallën e edukatës fizike, për të cilat punimet nuk kishin përfunduar në përputhje të plotë me kërkesat e paramasës në momentin e ekzekutimit të pagesës.”- thuhet në raportin e ZKA-së në të cilin po ashtu tregohet se menaxheri i kontratës nuk ka përgatitur raportin përfundimtar për realizimin e projektit.

Kosto shtesë, për shkak të mungesës së pagimit me kohë të faturave për mallra dhe shërbime dhe Kontratës Kolektive për sektorin e arsimit, është detyruar kjo komunë të paguaj në vlerë prej 1 milion e 683 mijë e 109 euro si pasojë e vendimeve gjyqësore. “Në 89 raste në vlerë 9,026,303€, faturat nuk ishin paguar brenda afatit kohor ligjor prej 30 ditësh nga data e pranimit.

Vonesat ishin nga 14 ditë deri në 6 vite. Gjithashtu, sipas regjistrit të siguruar nga komuna, gjatë vitit 2025, si rezultat i procedurave përmbarimore dhe vendimeve gjyqësore për mos pagesën me kohë të obligimeve ndaj kontraktuesve, si dhe obligimeve nga kontrata kolektive për personelin arsimor, në emër të kamatave, tarifave të përmbarimit dhe shpenzimeve tjera gjyqësore, janë paguar kosto shtesë në vlerë 1,683,109€.”- thuhet në këtë raport.

Kjo komunë, në katër raste të kërkesave për leje ndërtimore, ishte vonuar nga 11 deri në 223 për shqyrtimin e këtyre kërkesave edhe pse obligimi ligjor është që kërkesat të shqyrtohen brenda 45 ditëve. Raportin e plotë të auditimit për këtë komunë, mund ta qasni në këtë link .

Burimi: Kallxo