Në orët e para të së hënës, zjarrfikësit e Prishtinës pranuan një informatë për zjarr në një banesë në rrugën “Astrit Rrushi”, në lagjen e Spitalit. Lajmin e ka konfirmuar Malë Gashi, komandant i Zjarrfikësve në Prishtinë, i cili tha se njësitet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku e gjithë hyrja e ndërtesës ishte e mbushur me tym.
Pas intervenimit fillestar është bërë largimi i tymit nga objekti dhe gjatë verifikimeve është konstatuar se zjarri kishte shpërthyer në pajisje elektrike (aspirator dhe kabllo) në një lokal brenda ndërtesës, ndërsa tymi ishte përhapur në pjesët tjera të objektit.
Zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin, si dhe kanë kryer ventilimin e plotë të ndërtesës për largimin e tymit. Gashi thotë se sipas informatave të para, nuk raportohet për persona të lënduar.
