Shpërndaje në: Trajneri i Kepit të Gjelbër, Bubista, beson se lojtarët e tij debutues në Kupën e Botës kanë vërtetuar se ëndërrat mund të triumfojnë mbi kufizimet financiare. Bubista e dha këtë deklaratë pas barazimit 2:2 me Uruguain. Vendi afrikan bëri bujë me barazimin pa gola me Spanjën dhe tani është në garë për avancim në fazën nokaut.
“Kur del në fushë, shumë gjëra bëhen të barabarta. Sado i madh të jetë kundërshtari në skenën botërore, shumë ekipe përfaqësuese bëhen të barabarta”, tha Bubista për gazetarët. “Ne donim të tregonim këtë jo vetëm në futboll por edhe në aspekte tjera të jetës. Tregoni se mund të arrini gjëra të mëdha pavarësisht sfidave tuaja, qofshin ato financiare apo të çdo lloji tjetër.
Për sa kohë keni një ëndërr, ndiqni atë”. Performanca e jashtëzakonshme e ka bërë trajnerin e Kepit të Gjelbër të guxojë të mendojë për avancim nga faza e grupeve. Edhe vendi i tretë në grup ofron mundësi avancimi. Bubista ka theksuar se pas dy barazimeve, fokusi duhet të jetë kualifikimi. 56-vjeçari tha se misioni shtrihet përtej rezultateve të futbollit.
“Jemi këtu për t’ia treguar vendin tonë gjithë botës. Pra nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën se si luajmë futboll. Bëhet fjalë për gjithçka, kulturën tonë, muzikën, historinë, tifozët – të gjitha këto”, ka vazhduar fjalimin Bubista. “Duam që njerëzit kudo në botë ta njohin Kepin e Gjelbër për atë që jemi, duke treguar identitetin e popullit tonë”.
Sipas Bubistas, lojtarët duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë para ndeshjes vendimtare me Arabinë Saudite.
