Shpallja si krye-kauzë të profilizimit të së djathtës të Kosovës, nga kryetari i LDK-së , Lumir Abdixhiku, ka shqetësuar disa nostalgjikë të PAN-it. Shefi i tyre, Isa Mustafa, i katapultuar në krye të LDK-së nga Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij, “si plaka në kacë”, lëshon ndonjë sllogan, për ta aktivizuar klanin e tij të thekur. Ai nuk u mjaftua me sjelljen e partisë të kryetarit Dr.
Rugova në prag shuarje, me 9.8 %, (pa aleatë), në shkurt të vitit 2021. Dhe vazhdon t´i instruktojë klanorët e tij, për të penguar çfarëdo reforme brenda LDK-së. Klanorët e Isës nuk u pajtuan për ngritjen që i bëri LDK-së kryetar Lumiri, me ! Klani në fjalë pengoi deri në refuzim, ofertën e LVV për koalicion, bashkëqeverisjen me LDK-në, si të vetmet parti parlamentare të pakriminalizuara.
Ky klan me nostalgjinë për PAN-in, të cilët i shërbyen si patericë, për ta mbajtur atë në pushtet, pavarësisht mëkateve vrastare e hajnore, sot provokon shqiptarët, me kërkesën për ta kthyer sërishmi në pushtet, madje pa kërkuar as falje. Pikërisht në ditën e përfundimit të numrimit të votave, klani i Isa Mustafës, si në kor bretkosash, kërkoi linçimin e kryetarit të ligjshëm Dr.
Lumir Abdixhikut dhe Dr. Vjosa Osmanit, duke i akuzuar se nuk arritën ta nxjerrin LDK-në në vend të dytë! Ndërkohë që “janë zënë me pelë për dore”, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke bojkotuar dhe sabotuar fushatën e LDK-së të 28 dhjetorit 2025, me qëllim të dështimit të kryetarit Lumir Abdixhikut, duke zbritur rezultatin nga 18 % të shkurtit 2025, në 13 % të dhjetorit 2025!
Edhe për fushatën e 7 Qershorit 2026, të cilën e udhëhoqën Lumiri dhe Vjosa, me veprimtarët e rreshtuar rreth tyre, disa nga klanorët më të zëshëm të Mustafës, e bojkotuan, madje duke lëshuar sallën festive, kur fliste Vjosë Osmani! Dhe, kjo po ndodhte kur ishte aprovuar slogani: “Bashkohu rreth të djathtës të Kosovës!”
Rrënimi i LDK-së dhe çmontimi i rugovizmit ka filluar, kur treshja klasike e nënkryetarëve të LDK-së, të prirë nga Isa Mustafa, aprovuan të gjitha marrëveshjet fatale për Kosovën, të projektuara nga Serbia dhe të zbatuara nga agjenti i trefishtë, Hashim Thaçi.
Përfshirë këtu edhe shkeljen porosisë-amanet të Presidentit Rugova, “të mos lejohet ngritja e Hashimit në poste të larta, se është i dëmshëm për Kosovën!” Andaj, është absurde ta akuzosh kryetarin e mëvonshëm Abdixhikun, për humbjet zgjedhore, kur ato ishin rrjedhojë të ekipit klanor, përfshi nostalgjikët e sotëm të PAN-it, sepse hisedar në udhëheqjen e LDK-së ishte bërë edhe Hashimi.
Të gjitha sondazhet parashikonin se pa Vjosë Osmanin LDK-ja do të këtë rreth 8 % të votave. Tani, për më pak se një muaj angazhim të Vjosë Osmanit, ajo e ngriti në afro 17 %. Megjithatë, disa klanorë bastardë kërkojnë llogari prej saj, pse LDK-ja është renditur në vendin e tretë me rezultate votuese!?
Klanorët e Isa Mustafës kërkojnë zgjedhje të shpejta partiake, me një ton shantazhues, madje kërcënues! Ata harrojnë se ishin skllevërit e shekullit 21, nën tutelën e vrazhdët dhe cinike të monistit Mustafa. Binomi Isa-Hashimi u dakorduan për zhbërjen e Aktivave, si celulat e para të partisë të Dr. Rugovës, LDK-së. Këta tellall të sotëm të Isës heshtnin, sus!
Përjashtuan debatin në të gjitha nivelet e strukturave të partisë. E shpallën të paligjshëm votimin e fshehtë, duke e zëvendësuar me aklamacionin, votimin e hapur, votimin e rrejshëm, me ngritje dore. Për dy mandate radhazi “votuan” Mustafën me aklamacionin e turpshëm dhe kriminal. Fitoret e përsëritura të LVV, nuk janë as mashtrim turmash dhe aq më pak rastësi.
Përkundrazi, janë mesazh i qartë për opozitën PAN-iste, se ata që vranë kundërshtarët politikë, zhvatën shtetin, me hajni galopante dhe kontrabandë industriale, nuk mund të amnistohen dhe as të rehabilitohen, siç kërkojnë argatët e Isa Mustafës. Përkundër, ata duhet të japin llogari për krimet, tashmë, të bëra. Fatmirësisht, LDK-ja nuk është pjesë e krimeve të përmendura.
Por, Kryesia dhe deputetët e saj, mbartin fajësinë të bërë me votën e tyre, të dhënë në Parlament, në tufëzim (blegtoral), me urdhër të Isa Mustafës. Prandaj, distancimi nga këto akte të rënda, deri në tradhti, duhet bërë.
Kryeministri Albin Kurti, me LVV të tij dhe aleatët, e bëri hapin e duhur, të drejtë dhe thellësisht parimor, kur përjashtoi çfarëdo koalicioni dhe bashkëqeverisje me PAN-in kriminal, duke e qartësuar edhe arsyen madhore të këtij vendimi të mençur. Andaj edhe fitoi besimin dhe simpatinë e shqiptarëve, duke e shprehur në votën masive të dhënë LVV.
Njëkohshëm, Kurti e pranoi botërisht se LDK-ja nuk ka konsumuar elementet e penalizimit. Dhe, si e tillë është partner i besueshëm për sot dhe mot. Por, sipas tij, PDK-ja me argatët e saj, vazhdon ta mbaj peng LDK-në, duke penguar bashkëqeverisjen me Vetëvendosjen. Përndryshe, nuk do të kishim zgjedhje të përsëritura as në dhjetor 2025 dhe as në qershor 2026.
Aktualisht, nuk është koha e shkarkimeve linçuese. Tani duhet të mendohet dhe të veprohet për stabilitet shtetëror, në shërbim të popullit dhe tejkalimin e bllokadave subjektive, nga cilado palë që paraqitën. Dhe, këtë stabilitet e siguron, bindshëm dhe qëndrueshëm, partneriteti i bashkëqeverisjes të subjekteve të pa inkriminuara LVV-LDK.
Kjo zgjidhje stabilizuese, do ta ndihmonte edhe opozitën katrahurë PAN-iste, për t`u riformuar, duke spastruar subjektet i tyre nga krimi dhe kriminelët. Pa mëdyshje, LDK-ja ka nevojë për një reformë ndryshe nga retushimet e deritashme. Plagët nuk shërohen vetëm me balsam, por duhet përdorur edhe bisturia, në raste të stërkeqjes së tyre.
Në gjuetinë e tij mizore, ujku zgjedh mjegullën për gjahun-viktimë. Mjegullnajë duan edhe nostalgjikët e PAN-it, brenda LDK-së. Në asnjë kohë dhe rrethanë, Lidershipi aktual nuk duhet të pranojë zgjedhje të parakohshme, të imponuara nga nostalgjikët e PDK-së.
Zgjedhje të radhës do të këtë, por, paraprakisht, do të këtë analizë të mirëfillte, e cila është përjashtuar nga fjalori dhe praktika e LDK-së, pikërisht nga nostalgjikët aktual të PAN-it, përkatësisht, Isa Mustafa me klanin e tij.
Vazhdimi i mandatit për kryetarin Lumir Abdixhikut, në Kuvendin e fundit Zgjedhor, është bërë me strukturën goxha të seleksionuar të Këshillit të Përgjithshëm, nga kryetari paraprak, me klanin e tij. Praktika klanore që kryetarët e komunave të votojnë në Kuvend, ashtu siç porositë kryetari lokal, nuk është e shëndetshme për demokracinë. Dr.
Rugova mendonte dhe vepronte se kryetarit i komunës të mjaftohet me atë post. Kalaveshja me poste shtesë, ka reflektuar edhe në rezultatin zgjedhor. Në garat klanore bëhen edhe gabime. Lidershipi i Lumir Abdixhikut mund të mos “harronte” disa kuadro, bashkëpunëtorë të devotshëm dhe besnikë të Presidentit Rugova.
Po citoj vetëm dy emra që nuk mund të anashkalohen, Adem Salihaj dhe Skënder Zogaj, të rrezikuar me jetë. Banda e Shukri Bujës, ia solli në zyrën e tij kryetarin e LDK-së të Ferizajit. “Unë të vras, ose hiç dorë nga LDK-ja!” Robi me porosi e vuri në shënjestër, Zoti e shpëtoi!
Kuadri i LDK-së dhe doajeni i gazetarisë kosovare, Zogaj, u rrezikua në Tiranë dhe Prishtinë, por, pranoi sfidën dhe penda e tij nuk heshti, në përballje me krimin dhe kriminelët shqipfolës! I gjithë ky zhurmim agjitativ, i porositur nga PAN-i, për t`i aktivizuar nostalgjikët e tij, kundër Lidershipit aktual, nuk i shërben as LDK-së dhe as Kosovës.
Andaj, duhet të injorohet deri në përmasën e shprehjes, paksa, pezhorative, “pordhi kali në derë të Hanit!”