Tarifat e reja komunale në Prishtinë ngjallin debat

0%

Propozim-ndryshimi i Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba në Komunën e Prishtinës ka nxitur reagime nga bizneset dhe profesionet e lira. Avokatët kërkojnë që taksat të jenë të studiuara mirë, proporcionale dhe në përputhje me parimet e barazisë dhe sigurisë juridike.

Nga Komuna thonë se janë duke shqyrtuar vërejtjet e pranuara dhe se avokatët nuk do të preken nga tarifat e propozuara. Me reagime është përcjellë gjatë javëve të fundit propozim-ndryshimi i Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba në Komunën e Prishtinës. Propozimi për tarifat e reja ka ngjallur reagime nga përfaqësues të bizneseve dhe palë të tjera të interesit.

Edhe avokatët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me këtë çështje, duke kërkuar që taksat të jenë proporcionale dhe të kenë parasysh barazinë e qytetarëve para ligjit, si dhe sigurinë juridike dhe ekonomike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Taksat duhet të jenë shumë mirë të studiuara dhe duhet të vlerësohen të gjitha rrethanat, përfshirë edhe rrethanat ekonomike në të cilat funksionojnë të gjitha subjektet, përfshirë këtu profesionet e lira si avokatia, noteria, përmbaruesit privatë dhe të tjera ” tha Arbër Jashari, avokat.

Madje, ky i fundit kërkon që komuna të reflektojë, pasi sipas tij drafti aktual lë hapësirë për diskutim. “Kjo rregullore lë hapësirë për diskutim dhe, në këtë formë siç është, jam i bindur se nuk do të kalojë” , shtoi ai. Nga Komuna thonë se kanë marrë nga avokatët një argumentim jashtëzakonisht të mirë lidhur me kategorizimin e tyre si profesione të lira. “Nuk do të preken.

Ose do të hiqen si kategori, ose do të kenë një taksë krejtësisht minimale, sa për të qenë të evidentuar dhe për ta formalizuar këtë kategori të biznesit” , tha Luftar Braha, drejtor i Zhvillimit Ekonomik dhe Inovacionit. Sipas tij, një prej metodologjive kryesore që është përdorur në hartimin dhe taksimin e kësaj rregulloreje është ngarkesa që subjektet krijojnë në jetën urbane.

Nga Komuna e Prishtinës arsyetojnë se qëllimi i rregullores është ndërtimi i një sistemi më të qartë, më transparent dhe më të drejtë të tarifave komunale. Dokumenti do të jetë në konsultim publik deri më 24 qershor.

Burimi: Bota Sot