Pas gjashtë ditësh me aktivitete letrare, është mbyllur sot edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Një ditë më parë u ndanë çmimet tradicionale të panairit, me të cilat u vlerësuan autorë, përkthyes, studiues dhe vepra të spikatura të vitit.
Panairi i sivjetmë ka mbledhur dhjetëra shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe treva të tjera shqiptare, duke sjellë mijëra tituj, promovime dhe takime me autorë. Mysafir nderi i këtij edicioni ishte shkrimtari italo-francez, Francesco Rapazzini.
Sonte është mbyllur Panairi i Librit në Prishtinë, i cili tashmë është tradicional dhe ofron një mundësi të mirë që lexuesit, autorët dhe botuesit të komunikojnë për së afërmi me njëri-tjetrin. Për dallim nga vitet e tjera, kësaj here ky panair u hap në fund të muajit qershor, andaj përfaqësuesit e shtëpive botuese thonë se pikërisht ndryshimi i datave, ka bërë që të ketë më pak vizitorë.
“Botues kemi shumë më pak, unë mendoj që planifikimi i datave nuk ka qenë i duhuri, e poashtu edhe studentët tashmë i kanë përfundu ligjeratat dhe provimet “, tha Eronita Kqiku, editore e shtëpis botuese Bard Books.
“Interesim ka pas, tek ne shtandi më i vizituar ka qenë ai i ofertës tonë ku mbi 50 tituj kanë qenë me 70% zbritje, dhe si shtëpi botuese kemi dalë me shtatë tituj të ri” , theksoi Fidan Imeri nga shtëpia botuese “Koha”. Por, ndryshe thonë përfaqësues të njërës prej librarive ndërkombëtare.
Sipas tyre, kësaj here përveç librave të gjuhës angleze nga zhanri akademik, u kërkuan edhe librat të gjuhës italiane dhe frënge.
“I kemi pas disa libra me ushtrime matematikore për stinën e verës dhe ato pothujase janë shitur të gjitha, kemi edhe seri të ndryshme që fëmijët janë të apasionuar, mandej edhe për fëmijë të vegjel, kemi pas interesim edhe nga pjesa kademike sidomos ato që janë të shkenace kompjuterike dhe ato me inteligjencë artificiale” , pohoi Merita Mehemti Gagica, nga Educational Center?.
Panairin e Librit “Prishtina 2026” e ka vizituar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci.
