Shpërndaje në: Historiani serb Milivoj Beshlin ka deklaruar se orientimi i Serbisë drejt Kosovës në fund të shekullit XIX ishte pasojë e ndryshimeve gjeopolitike të kohës dhe e ndikimit të Austro-Hungarisë pas Kongresit të Berlinit.
Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Beshlin ka thënë se deri në zgjidhjen e Krizës së Madhe Lindore, zgjerimi i shtetit serb ishte i orientuar kryesisht drejt Bosnjës dhe Hercegovinës.
Sipas tij, situata ndryshoi pas Paqes së Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, kur Serbia kërkoi mbështetjen e Austro-Hungarisë për të mbrojtur interesat e saj përballë projektit të Bullgarisë së Madhe të mbështetur nga Rusia. “Austro-Hungaria mbrojti interesat e Serbisë, por kjo kishte një çmim.
Meqenëse Vjena kishte pretendime mbi Bosnjën dhe Hercegovinën, zgjerimi i Serbisë nuk mund të shkonte më drejt perëndimit, përtej Drinës”, ka thënë Beshlin. Ai theksoi se si pasojë e kësaj, Serbia e orientoi projektin e saj shtetëror dhe kombëtar drejt jugut, përkatësisht Kosovës dhe Maqedonisë.
Sipas Beshlinit, pikërisht në këtë periudhë filloi të ndërtohej më fuqishëm narrativa kombëtare serbe rreth Kosovës, ndërsa fokusi i mëhershëm te Bosnja dhe Hercegovina u zëvendësua me referenca ndaj historisë mesjetare serbe, Betejës së Kosovës dhe trashëgimisë së shtetit të mesjetës. “Kur Serbia u pengua të zgjerohej drejt Bosnjës dhe Hercegovinës, ajo e ktheu vëmendjen në jug.
Atëherë filloi të ndërtohej miti i Kosovës dhe narrativa e lidhur me besëlidhjen e Kosovës, hakmarrjen e Kosovës dhe historinë mesjetare”, u shpreh ai.
