Gjermania dha një provë force me fitoren 2-1 me përmbysje ndaj Bregut të Fildishtë dhe siguroi kalimin në fazën tjetër të Kupës së Botës. Por për skuadrën e Nagelsman, jo të gjitha ishin pozitive nga kjo ndeshje e dytë në grup.
Mbrojtësi Niko Shloterbek, një nga emrat e rëndësishëm të prapavijës së gjermanëve, u dëmtua që në pjesën e parë të takimit, në minutën e 13, ndërsa rezistoi në fushë vetëm deri në pushimin e ndeshjes pasi mori ndihmën e mjekëve. Pas ndeshjes, u mësua se ai ka pësuar një dëmtim në ligamentet e kyçit të këmbës së majtë.
Sipas mediave gjermane, lojtari ka pësuar një këputje të pjesshme të ligamentit dhe rrezikon seriozisht të mbyllë para kohe pjesëmarrjen e tij në Botëror. Priten teste të tjera për futbollistin, por tashmë Nagelsman ka luksin që të bëjë rotacion në ndeshjen e fundit në grup, duke pasur kualifikimin e sigurt, për t’i lënë më shumë kohë futbollistit të rikuperohet.
Por nëse konfirmohet dëmtimi, për Shloterbek do të jetë e vështirë që të kthehet në fushën e lojës për ndeshjet e tjera, pasi një përkeqësim i tij do t’i rrezikonte karrierën.
