Në vitin 1879, shpikësi amerikan Thomas Edison dhe ekipi i tij zhvilluan një nga eksperimentet më të rëndësishme në historinë e ndriçimit elektrik, duke krijuar një llambë inkandeshente që mund të qëndronte e ndezur për orë të tëra, transmeton KosovaPress.
Eksperimenti u realizua në laboratorin e Edisonit në Menlo Park të New Jersey-it, pas një sërë provash me materiale të ndryshme për filamentin e llambës. Çelësi i suksesit ishte përdorimi i një filamenti prej fijeje të karbonizuar, i cili mundësonte prodhimin e dritës për një periudhë më të gjatë.
Sipas Shërbimit të Parqeve Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, llamba eksperimentale qëndroi e ndezur për të paktën 13 orë, duke shënuar një përparim të rëndësishëm drejt zhvillimit të ndriçimit elektrik praktik.
Megjithëse Edisoni nuk ishte i pari që eksperimentoi me llambën elektrike, ai arriti ta përmirësonte teknologjinë dhe të zhvillonte një sistem të plotë për furnizimin me energji elektrike.
Në vitin 1882, në rrugën Pearl Street të New Yorkut, nisi funksionimin një nga centralet e para komerciale të energjisë elektrike, duke shënuar një hap vendimtar drejt përdorimit të gjerë të ndriçimit elektrik. Kjo arritje hapi rrugën për transformimin e jetës së përditshme dhe zhvillimin e sistemeve moderne të energjisë elektrike.
