Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka pranuar se Paris Saint-Germaini ishte skuadër më e mirë se katalanasit, pas humbjes 4-2 në Paris, në kuadër të xhiros së tretë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Në konferencën për media pas ndeshjes, gjermani ka theksuar se Barcelona bëri shumë gabime, veçanërisht në posedimin e topit dhe në humbjet e lehta të tij, por ka insistuar se ekipi duhet ta shfrytëzojë këtë përvojë për t’u përmirësuar. “PSG-ja ka dëshmuar se është skuadër më e mirë se ne. Kemi humbur, por kemi mësuar shumë nga kjo ndeshje”, ka deklaruar Flick.
Ai ka vlerësuar se skuadra e tij pati edhe momente të mira gjatë përballjes, por duhet të analizojë gabimet dhe të përmirësojë lojën në vazhdim. “Kemi bërë shumë gabime në këtë ndeshje, veçanërisht në posedimin e topit dhe në humbjet e lehta të tij. Këto janë gjërat që duhet t’i shqyrtojmë, t’i analizojmë dhe t’ia tregojmë ekipit.
Por, kam parë edhe shumë gjëra të mira”, ka thënë trajneri i Barcelonës. Flick ka përmendur edhe lodhjen fizike të futbollistëve, duke vlerësuar se skuadra nuk pati kohën e nevojshme për rikuperim pas ndeshjes me Sevillan. Megjithatë, ai ka theksuar se kjo nuk duhet të shërbejë si arsyetim për humbjen. “E vlerësoj vërtet shumë mentalitetin dhe qëndrimin që po tregojnë lojtarët e mi.
Sot nuk ishte e lehtë. Nuk patëm rikuperimin e duhur, por kjo nuk është një justifikim” , ka theksuar ai. Pavarësisht humbjes, trajneri gjerman nuk dëshiron që rezultati të shkaktojë pesimizëm në skuadër. Sipas tij, sezoni është ende i gjatë dhe objektivat në garën evropiane nuk vendosen në këtë fazë. “Duhet të mësojmë nga kjo ndeshje. Në tetor nuk fitohen titujt.
Titujt, veçanërisht Liga e Kampionëve, fitohen në qershor”, ka deklaruar Flick. Sa i përket lojës në fushë, ai ka kërkuar më shumë qetësi në posedim, pozicionim më të mirë dhe lidhje më të ngushtë ndërmjet futbollistëve. “Kemi pasur shumë raste. Në ndeshjet e mëparshme i kemi shënuar ato gola.
Duhet të luajmë me më shumë qetësi, të kemi pozicionim më të mirë dhe të jemi më të lidhur mes vete. Duhet të jemi më të qartë për atë që duam të bëjmë dhe, kur kemi mundësi për të përfunduar aksionin, duhet ta bëjmë me përqendrim dhe bindje të plotë”, ka thënë ai.
Flick ka ndarë fjalë të mira edhe për portierin Joan Garcia, i cili bëri disa pritje të rëndësishme, si dhe për të riun Xavi Espart, i cili pati paraqitje të mirë në krahun e djathtë të mbrojtjes. “Joan bëri pritje fantastike.
Është shumë mirë ta kemi në atë pozitë” , ka thënë ai për portierin, ndërsa për Espartin ka shtuar se niveli i tij e ka befasuar pozitivisht dhe se duket sikur ka tri ose katër sezone që luan në ekipin e parë. Trajneri ka shpjeguar edhe vendimin për ta lënë Rodrin në bankën rezervë, duke bërë të ditur se mesfushori kishte grumbulluar shumë minuta me përfaqësuesen dhe Barcelonën.
Ai ka vlerësuar pozitivisht paraqitjen e Marc Bernalit, i cili e nisi ndeshjen nga minuta e parë. Barcelona pësoi humbjen e parë të sezonit në të gjitha garat, ndërsa tani do të përqendrohet te përballja e ardhshme me Real Madridin në “El Clasico”.
