Stambolli ëndërroi për netë të mëdha në Kupën e Botës, por aventura e Turqisë përfundoi në zhgënjim të thellë pas vetëm dy ndeshjesh. Humbjet ndaj Australisë dhe Paraguait i kanë kushtuar shumë trajnerit Vincenzo Montella, ndërsa e ardhmja e tij në krye të kombëtares duket e vulosur.
Pas ndeshjes së fundit të fazës së grupeve ndaj SHBA-së, Montella pritet të rikthehet në Turqi dhe të largohet nga drejtimi i skuadrës. Ende nuk është e qartë nëse do të japë dorëheqjen vetë apo do të shkarkohet nga Federata Turke e Futbollit. Paraqitja e Turqisë në turne ka qenë larg pritshmërive.
Ekipi mbërriti në Amerikën e Veriut me ambicie të mëdha, por pas dy ndeshjeve të para nuk ka arritur të shënojë asnjë gol. Edhe ndaj Paraguait, ku luajti pjesën më të madhe të sfidës me një lojtar më shumë pas kartonit të kuq të Almiron, skuadra nuk arriti të ndryshojë fatin e saj. Megjithatë, cikli i kësaj Turqie duket se sapo ka nisur.
Shumë prej talenteve më të mëdha të ekipit janë ende në fillimet e karrierës së tyre, si Kenan Illdiz dhe Arda Gyler, dhe pritshmëritë janë që kjo gjeneratë të rikthehet më e fortë në skenën ndërkombëtare, ndoshta që në Kampionatin e ardhshëm Evropian. Një gjë duket e sigurt. Kjo nuk do të ndodhë me Vincenzo Montellan në stol.
Karriera e trajnerit italian me kombëtaren turke duket se ka marrë fund. Federata Turke e Futbollit ende nuk ka vendosur për pasuesin e tij, por në Turqi qarkullojnë zëra se një emër me shumë përvojë dhe autoritet si Fatih Terim mund të jetë një nga opsionet për të rikthyer stabilitetin. Për Montellan, megjithatë, mund të hapen mundësi të tjera.
Pavarësisht dështimit në Kupën e Botës, italiani vazhdon të ketë admirues në Turqi. Një rikthim te Fenerbahçe nuk përjashtohet, pasi klubi i Stambollit është ende në kërkim të një trajneri dhe Montella mund të jetë kandidat për të zëvendësuar Domenico Tedesco-n, i cili është larguar drejt Bolonjës.
Por fillimisht, Montella duhet të përpiqet të mbyllë me dinjitet aventurën e tij me Turqinë, në ndeshjen e fundit kundër SHBA-së.
